Llogaritë e Çelhakës: Besa duhej të kishte 12 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 13:49

Llogaritë e Çelhakës: Besa duhej të kishte 12 pikë

Barazimi i javës së sh kuar në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë bëri që Lushnja të shkëputet 5 pikë nga Besa, por më lart se verdhezinjtë qëndrojnë aktualisht edhe Apolonia e Devolli. Ai barazim solli edhe kritika të ashpra nga presidenti Bizhdili për gjithë ekipin. Më shumë se kushdo, kapiteni Alket Çelhaka, futbollisti me më shumë përvojë Superlige te Besa, për këtë fakt shprehet:

Celhaka

“Ndoshta sot s’mund të kishim 15 pikë, por së paku 12 pikë duhej t’i kishim për atë çfarë Besa ka dhënë në fushë. Kemi merituar më shumë, duke u nisur nga lojërat që kemi zhvilluar. Jemi ndëshkuar. Për ndeshjet me Orikun, Lushnjën dhe Ilirinë kemi merituar 9 pikë dhe kemi marrë vetëm 1. Prandaj, them se presidenti Bizhdili ka të drejtë të jetë i pakënaqur nga pikët që kemi në renditje. Besa është e vetmja skuadër që ka shënuar gjithnjë e para dhe pikët nuk u përgjigjen lojërave tona. Kemi shumë për të korrigjuar”.

SHËNKOLLI – Në prononcimin për “Panorama Sport”, mesfushori kavajas ndalet më tej te ndeshja e sotme me Shënkollin, që luhet në Peqin. Për Çelhakën, çdo kundërshtar mund të të bëjë keq nëse nuk i jep rëndësinë e duhur ndeshjes. “Shënkolli dhe çdo ekip tjetër, kur luajnë kundër Besës, e konsiderojnë një finale dhe mobilizohen disafish më shumë. Ne e dimë shumë mirë se asnjë ndeshje nuk mund të fitohet lehtë.

Besa

E kemi provuar edhe me Elbasanin, ku udhëhiqnim 2-0 dhe më pas, në vend që të shënonim 5-6 gola të tjerë me mundësitë që na u krijuan, gati e çuam ndeshjen drejt një barazimi, që do të ishte turp i madh. Stafi teknik, me në krye trajnerin Magani, ka punuar shumë në aspektin psikologjik, duke përsëritur se Besa duhet të bëjë lojën e saj në çdo moment. Të gjithë futbollistët duhet të sakrifikojnë deri në minutën e 90-të.

Për mua, Besa i ka mundësitë ta zgjidhë shpejt ndeshjen. Duhet të shënojmë shpejt edhe me Shënkollin, që më pas ta kemi më të lehtë. Duhet të fitojmë edhe për të dhënë një përgjigje ndaj kritikave të presidentit Bizhdili”, ka përfunduar kapiteni i Besës, Çelhaka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"