Llogaritë e bllokuara te Vllaznia, histori gabimesh dhe dyshime mashtrimesh në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2017 | 9:37

Llogaritë e bllokuara te Vllaznia, histori gabimesh dhe dyshime mashtrimesh në Shkodër

Vllaznia është në udhëkryq të madh. Që në mars të 2016- ës, thuajse prej një viti e gjysmë, klubi “Vllaznia” është në një betejë ligjore me kompaninë “Gea Sport”, e cila kishte presidencën e kuqebluve. Vllaznia, për shkak të një detyrimi prej 76 mijë eurosh ndaj “Gea Sport”, ka të bllokuara të gjitha llogaritë bankare.

Vllaznia-Tirana

Pavarësisht kësaj ngrirje të llogarive, kryebashkiakja deklaroi së fundmi (konkretisht më 21 gusht 2017) se skuadra do të niset në fazë përgatitore në Malin e Zi. Kryerja e mbulimit të shpenzimeve për ditët përgatitore, në një kohë që llogaritë vazhdojnë të mbeten të bllokuara sipas një vendimi ekzekutimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e pakuptueshme. Një akt i tillë, pa ekzekutuar më parë urdhrin e ekzekutimit të lëshuar nga gjykata, përbën një shkelje flagrante të ligjit dhe zbatimit të vendimeve të gjykatave duke krijuar njëkohësisht rrethana të dyshimta për evazion fiskal.

Veprime këto që mund të ngarkojnë kryebashkiaken apo edhe drejtuesit kryesorë të shoqërisë me përgjegjësi të rëndë penale. Në nenin 320 të Kodit Penal parashikohet: “Fshehja, tjetërsimi, konsumimi, dëmtimi apo shkatërrimi i sendeve, për të cilat është marrë një vendim prej gjykatës, ose kryerja e veprimeve të tjera të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose të pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.

ENIGMA PËR FONDIN

Duke qenë se llogaritë e shoqërisë Vllaznia sh.a. vazhdojnë të mbeten të bllokuara, ndërkohë që shoqëria vazhdon aktivitetin e saj tregtar dhe sportiv, ajo që mbetet enigmë dhe që fshihet në këtë rast është forma se si po kryhen pagesat, me çfarë llogarish përdoren dhe si bëhet kalimi i fondeve për furnizime, mallra dhe shërbime të ofruara nga të tretët. Këshilli Bashkiak miratoi 170 milionë lekë të vjetër për Vllazninë dhe pritet që institucioni i prefekturës t’i japë legjitimitetin.

Por, edhe nëse prefektura jep “OK”- in për këtë fond, në çfarë llogarish do të derdhen? Në këtë mënyrë, dërgimi i Vllaznisë në fazë përgatitore me shpenzime që mund të shkojnë në disa mijëra euro hap një debat të madh mbi mënyrën se si po menaxhohet Vllaznia, qoftë edhe në aspektin ligjor.

U GËNJYE PËR “GEA SPORT”!

Që në fillim, drejtuesit e Vllaznisë kanë deklaruar se nuk kanë asnjë dijeni për procesin gjyqësor me “Gea Sport” dhe vendimin nga Gjykata e Arbitrazhit, sipas të cilit shoqëria Vllaznia sh.a i detyrohet 76 mijë euro “Gea”-s. Mospasja e dijenisë për këtë vendim u ripërsërit edhe nga kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, në konferencën e saj të fundit në bashki për këtë çështje. Në fakt, e vërteta është ndryshe.

permbarimi vllaznia

Nga korrespondencat shkresore mes qendrës MEDART (qendra e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit tregtar) dhe klubit, rezulton se më 31 mars 2016, kuqeblutë janë njohur me shkresën e parë nga MEDART me lëndë “seancë arbitrazhi”. Kjo vërteton se shoqëria Vllaznia sh.a që në fillim ka qenë në dijeni të kësaj çështjeje, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet në deklaratat publike për mospasje të dijenisë.

SHKRESA PËR GJYQIN

Më 18 prill 2016, klubi “Vllaznia” i dërgon shkresën e parë zyrtare, pra 18 ditë pas njoftimit nga qendra MEDART, për shpallje moskompetence nga qendra MEDART dhe avokat Eno Bushi (emëruar si gjyqtar nga MEDART). Në këtë shkresë të klubit “Vllaznia” pranohet se është bërë njoftimi nga MEDART më 31 mars 2016, pra edhe vetë klubi pranon zyrtarisht që në prill të 2016-ës se ka qenë në dijeni të këtij procesi.

Voltana Ademi, Vllaznia

Më 18 prill 2016, Vllaznia pretendon se MEDART nuk ka kompetencën e duhur për të vepruar si gjykatë arbitrazhi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me “Gea Sport”. Thuajse të njëjtën shkresë klubi e dërgon edhe më 11 maj të 2016-ës, në më pak se një muaj pas shkresës së parë, me të njëjtat pretendime. Gjykata e Arbitrazhit me një vendim të ndërmjetëm më 3 qershor, ka rrëzuar poshtë këto pretendime të Vllaznisë, ende pa dhënë vendimin përfundimtar.

SEANCË NDËRMJETËSIMI

Më përpara, administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, ka marrë pjesë në një seancë ndërmjetësimi, por aty nuk ka paraqitur asnjë qëndrim apo pretendim. Kjo bëhet e ditur në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit të datës 27 qershor 2016, teksa në faqen 6 konkretisht thuhet:

“Pala e paditur, edhe pse është njoftuar rregullisht në lidhje me kërkesë-padinë dhe pretendimet e palës paditëse, përveç kërkesës për shpalljen e moskompetencës nga kjo gjykatë, për shqyrtimin e kësaj çështjeje, nuk paraqiti asnjë pretendim apo prapësim ndaj kërkesë- padisë. Administratori, edhe pse u paraqit personalisht në seancë, u shpreh se nuk është në gjendje të jepte asnjë qëndrim në lidhje me këtë çështje, pasi duhet të merrte miratimin e aksionerit të vetëm të shoqërisë, për të shprehur qëndrimin si palë e paditur.

Për këtë shkak, për të mundësuar marrjen e shpjegimeve të palës së paditur, seanca dëgjimore u shty. Në seancën dëgjimore në vazhdim pala e paditur nuk u paraqit dhe nuk paraqiti asnjë shkak për këtë mungesë. Në këto kushte, gjykata, pasi dëgjoi edhe pretendimet përfundimtare të palës paditëse, i dha fund shqyrtimit gjyqësor”. Pra, administratori ka marrë pjesë vetëm në një seancë ndërmjetësimi, duke mos mbajtur asnjë qëndrim pa miratimin e kryebashkiakes, në mosmarrëveshjet e Vllaznisë me “Gea Sport”. Më pas nuk ka shkuar në asnjë seancë tjetër.

BLLOKIMI I LLOGARIVE

Në këtë mënyrë, më 27 qershor, ka ardhur vendimi përfundimtar i Gjykatës së Arbitrazhit, e cila ka vendosur “pro” kompanisë “Gea Sport”, çka ka sjellë më pas bllokimin e të gjitha llogarive të shoqërisë Vllaznia sh.a. Nga ana e saj, Vllaznia pretendon se nuk është njoftuar për këtë vendim, por në bazë të ligjit, Gjykata e Arbitrazhit nuk e ka për detyrë të njoftojë palët. Sipas nenit 435 të Kodit të Procedurës Civile, afati i ankimit ndaj vendimeve të gjykatës së arbitrazhit është përcaktuar si më poshtë:

“Ankimi në gjykatën e apelit bëhet brenda 30 ditëve nga dita që është shpallur vendimi. Mungesa e palëve në shpalljen e vendimit nuk e ngarkon gjykatën me detyrimin për njoftimin e vendimit”. Vllaznia nuk ka bërë asnjë ankim brenda 30 ditëve në gjykatën e apelit të Tiranës dhe ky afat ka përfunduar. Më pas qendra MEDART i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, e cila ka kthyer në titull ekzekutiv vendimin e MEDART, duke bllokuar kështu llogaritë e kuqebluve.

Analiza te Vllaznia

Si shkak i kësaj neglizhence, në prill të 2017-ës, pra pothuajse një vit mbrapa, Vllaznia i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Shkodër, duke kundërshtuar vendimin e MEDART. Por, apeli i Shkodrës ka shpallur moskompetencën për këtë çështje, duke e dërguar për gjykim në Tiranë. Ankimi jo vetëm është bërë jashtë të gjitha afateve ligjore, por edhe në mënyrë të gabuar juridiksionale. Ndaj, në kësi kushtesh, mundësia për zhbllokimin e llogarive në rrugë gjyqësore pothuajse është zero dhe e vetmja mënyrë për klubin, mbetet që të paguajë 76 mijë eurot ose ndonjë marrëveshje me “Gea Sport”.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"