Llogari për të reduktuar dënimin e UEFA-s, Skënderbeu luan sezonin në 4 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2020 | 0:00

Llogari për të reduktuar dënimin e UEFA-s, Skënderbeu luan sezonin në 4 ditë

Barazimi në shtëpi përballë Laçit e ka komplikuar jo pak situatën te Skënderbeu. Korçarët kishin shansin më të mirë për ta thelluar shkëputjen në renditje dhe të blindonin vendin e tretë, që të çon në zonën “Euro”. Edhe pse bardhekuqtë vinin nga një seri fitoresh në kampionat, kurbinasit i ulën me këmbë në tokë dhe u treguan se kjo garë do të vijojë e tillë deri në fund. Me vetëm +2 nga laçianët dhe +4 nga Teuta, skuadra e Ilir Dajës do të ketë jo pak punë deri në finish të këtij sezoni.Skenderbeu festa e golit

Shifrat tregojnë se “lufta” do të jetë e hapur dhe çdo gabim mund të kushtojë. Megjithatë, korçarët kanë një avantazh krahasuar me rivalët e tjerë. Ata janë edhe në Kupën e Shqipërisë, veç kampionatit. Të dyja këto rrugë i çojnë bardhekuqtë drejt objektivit të shumëkërkuar.

EUROPA – Si për ironi të fatit, duket se Europa për Skënderbeun kalon nga… Ballshi. Pas humbjes në ndeshjen e parë çerekfinale me rezultatin 1-0 në “Adush Muça”, korçarët luajnë dy finalet e sezonit me mallakastriotët. Brenda katër ditëve Skënderbeu do të përcaktojë fatet e këtij sezoni qoftë nga Kupa apo edhe nga kampionati. Në fundjavë korçarët udhëtojnë drejt Bylisit në një ndeshje që duhet fituar.

Kjo, edhe për faktin se si Laçi ashtu edhe Teuta vazhdojnë të ushtrojnë presion në kërkim të vendit të tretë. Një fitore këtu do t’i bënte mjaft punë Skënderbeut për të ruajtur të pandryshuar pozicionin në renditje. Veç ndeshjes së fundjavës, korçarët do të presin ndeshjen e kthimit për Kupë në Korçë gjatë mesjavës. Si për ironi, kundërshtar do të jetë sërish Bylisi. Pas humbjes 1-0 në ndeshjen e parë të besuarit e Ilir Dajës do të kërkojnë me çdo kusht përmbysjen e rezultatit. Kualifikim që do t’u jepte garancinë e kapjes së zonës europiane.Skenderbeu goli

DËNIMI – Pavarësisht se klubi po vuan dënimin nga UEFA me përjashtim nga kompeticionet europiane, kapja e vendit të tretë normalisht që i hyn në punë. Edhe nëse përgjigjja nga Lozana nuk do të jetë ajo që të gjithë presin, sërish ka rëndësi prerja e një “bilete”.

Nëse Gjykata Federale vendos lënien në fuqi të vendimit të UEFA-s apo siç shumë shpresojnë përgjysmimin e tij, korçarët do të shlyenin edhe vitin e katërt të dënimit. Ndërsa variant më i mirë qëndron te fakti që nëse kjo gjykatë do ta kthente për rigjykim çështjen në organet kompetente, Skënderbeu do të fitonte automatikisht të drejtën për të luajtur në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"