Llogari me “laps” te Bylisi, 5 finale për të përcaktuar sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 20:54

Llogari me “laps” te Bylisi, 5 finale për të përcaktuar sezonin

Veç stërvitjes intensive, në Ballsh kanë filluar që të bëjnë edhe llogaritë. Sezoni për Bylisin vendoset në 5 javët e ardhshme dhe mbetet detyrë e Veljko Dovedanit që të udhëheqë grupin drejt suksesit. Kalendari i ndeshjeve mund të konsiderohet si “ferr”. Kampionati rinis në “Adush Muça” me Tiranën dhe Teutën, që përkon me sfidën e fundit fazës së tretë dhe fillimin e fazës së katërt.

bylisi

Java e 29-të i çon në Shkodër, atje ku do të luajnë me Vllazninë, ndërsa në të 30-ën kthehen sërish në shtëpi për të sfiduar Skënderbeun. Për të përmbyllur qershorin “e egër”, do të përballen edhe me Kukësin në transfertë. Këto do të jenë takime përcaktuese për ta dhe nëse përsërisin startin e këtij sezoni, do të jenë shumë pranë Kupave të Europës.

Kujtojmë se Bylisi e ka mundur Tiranën në Ballsh, ndërkohë që me Teutën i ka shpëtuar fitorja nga duart. Bylisi ka triumfuar gjithashtu ndaj Vllaznisë në Shkodër.

Skuadra – Trajneri Veljko Dovedan do t’u kthehet skemave të fillimsezonit.  Ai i ka besuar Hadrojit e Ntepes në linjën e djathtë, Goxhajt në qendër dhe Ndrecës e Peposhit në të majtë. Murataj, Mëllugja e Barjamaj në mesfushë, por edhe Qardakut që bashkë me Guindon do të përbëjnë ofensivën.

bylis

Lëvizjet e kryera pas afrimeve të janarit nuk ishin efikase, me përjashtim të Mozones që deri diku e ka justifikuar aktivizimin. Kurse Visente e Munoz nuk kanë dhënë atë që pritej, edhe pse kanë luajtur si titullarë në shumë ndeshje. Kështu që, rifillimi i garës do të sjellë përmbysje të 11-shes.

KALENDARI NË 5 JAVËT E ARDHSHME

3 QERSHOR

Bylis-Tirana

7 QERSHOR

Bylis-Teuta

14 QERSHOR

Vllaznia-Bylis

21 QERSHOR

Bylis-Skënderbeu

28 QERSHOR

Kukësi-Bylis

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"