Llogari me arbitra kamikazë për fatet e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2018 | 23:13

Llogari me arbitra kamikazë për fatet e kampionatit

JORGIS MEMO

jorgisi

Skënderbeu-Luftëtari duhet të ishte ndeshja që mund të kënaqte edhe atë pjesë të opinionit sportiv që prej kohësh e ka humbur besimin te kampionati shqiptar. Mirëpo, edhe atëherë kur dikush që kërkon të shikojë një pjesë të bukur nga futbolli ynë me shumë halle, “vritet” sapo i del përpara një personazh i quajtur Emirjon Sino. Është prej vitesh arbitër i kolegjiumit të Fierit, madje dikur ka drejtuar me sukses edhe derbin PartizaniTirana, por kurrë nuk u bë i rëndësishëm.

Dy ditë më parë kishte shansin për të mbajtur një ndeshje “qejfi”, siç dhe realisht është një mes Skënderbeut dhe Luftëtarit, dy prej skuadrave që pa dyshim luajnë futbollin më të bukur. Por, ndodhi ajo që jo thjesht njollos garën, por në periudhën më të errët të Skënderbeut të “zyrave”, tenton t’i dëmtojë edhe imazhin e vendosur për mirë në fushë gjatë këtij sezoni. Natyrisht, impakti i parë ishte se ky Skënderbe nuk ka nevojë për ndihmën e arbitrave, aq më tepër në një kampionat, ku me meritë deri më tani nuk njeh rivalë dhe duket sikur vjen nga një realitet tjetër. Me telekomandë…

gavazaj jakovljevic

Por çfarë ndodhi realisht në atë 90-minutësh në Korçë dhe pse u bë arbitri protagonist…? Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një ndeshje ku gjyqtari dëmton Luftëtarin në dy raste flagrante që vendosin praktikisht rezultatin (penallti e gabuar e dhënë për Skënderbeun dhe një e mohuar për gjirokastritët). Habia e madhe qëndronte në faktin se pse rezultati duhet të ishte një lodër në dorën e tre “kamikazëve” nga Fieri. Bëhet fjalë për një fenomen që rëndom ndodh në futbollin tonë të “pistë”, që me logjikën e thjeshtë të gjërave, kupton se si me pultin në dorë disa arbitra të komanduar vendosin fatet e kampionatit.

Ndoshta të dielën edhe trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka menduar se ky Sino qenka më i mirë se Abazaj, Gavazaj apo Lilaj. “Fabula” e ndeshjes në Korçë ishte e qartë: Luftëtari duhet të ndalej për llogari të palëve të treta dhe jo se e hëngri meraku Sinon & CO për të ndihmuar Skënderbeun, pasi këta të fundit nuk kanë nevojë të ndoten me të tilla gjykime. Kur jemi në mbyllje të fazës së tretë, llogaritë e Europës me arbitra nisën frikshëm. Natyrisht edhe llogaritë e mbijetesës, që javën e fundit prodhuan edhe dy deklarata bombastike të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, si dhe trajnerit të Vllaznisë, Ernest Gjoka.

Alarmi i madh që u dha në Skënderbeu-Luftëtari, ku fitoren e korçarëve e festuan më shumë të tjerët, konfirmoi as më pak e as më shumë se çfarë na pret të shohim në fazën e katërt. “Qokat” për klubet kanë nisur me kohë, pasi vijmë edhe nga zgjedhjet e 7 shkurtit. E ku ka më mirë se në këtë garë kaq të pabesueshme të përdoren gjyqtarët…!

Në fund të fundit, çfarë e gjeti Enea Jorgjin pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu 2-0 më 20 maj 2017?! Në institucionin e futbollit tani nuk u dridhet më as qerpiku. Presidenti i shoqatës së gjyqtarëve, Tahir Kastrati, ka vendosur të mos hapë më telefonin, ndërsa kryetari i caktimit të arbitrave, Petrit Brahja, thonë që pyet të “mëdhenjtë” edhe për ndeshjet më mediokre të mundshme. E keni vënë re se pse gjithnjë e më shumë në këto javët e fundit janë shtuar arbitrat që, pasi pushojnë një kohë të gjatë, rishfaqen për të kryer misionin. Beqiri, Sokoli, Sino, Alla, por jo vetëm… Nuk janë futbollistë, por “asët nën mëngë” të FSHFsë, që rikthehen sa herë duhen dhe lënë shenjën e tyre në “shëndoshjen” e kampionatit.

Gjyqtari

Shenjat janë edhe më të këqija se sezoni i kaluar, por në këtë futbollin tonë ku të mbyt “shou” dhe shpëlarja e trurit para stadiumeve të boshatisura, është e vështirë të marrë njeri përgjegjësi se çfarë ndodh me këtë kastë arbitrare që po shkatërron gjithçka. Si ka mundësi që nga fillimi i sezonit dhe deri më tani klube si Flamurtari dhe Luftëtari janë goditur sistematikisht, ndërsa të tjerë, me në krye Laçin, ndihen mbretër të këtij kampionati sa i përket pjesës së arbitrave?!

Si ka mundësi që vetëm Luftëtari dhe Lushnja nuk kanë marrë një penallti në favor pas 26 javësh? Asgjë nuk mund të jetë e rastësishme, aq më tepër që janë të njëjtët njerëz prej afro dy dekadash në sektorin e gjykimit. Janë shumë pyetje që nuk do të marrin kurrë një përgjigje, sepse këtu te ne çudia më e madhe tri ditë zgjat dhe më pas vijojnë shpëlarjet e trurit: “Kemi kampionatin më të fortë në rajon”. Tani mos u çudisni kur të dëgjoni përralla me Ligën Profesioniste… përpara një furtune që presim të na vijë nga UEFA, pasi nuk jemi të zotë për të mbrojtur dinjitetin e një kampionati që po shkatërrohet javë pas jave. Gjithsesi, në FSHF e kanë një meritë të madhe: dinë të administrojnë situatën kur na vijnë dosje të zeza nga qeveria e futbollit europian.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"