Lleshanaku e thotë troç: Mos prisni mrekulli nga ky grup

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 10:45

Lleshanaku e thotë troç: Mos prisni mrekulli nga ky grup

Elbasani është i përqendruar te përgatitjet, për të qenë gati në startin e kampionatit, ndonëse nuk dihet se kur do të fillojë. Skuadra është plotësuar, por deri në pikën për të mos rrezikuar mbijetesën. Nëse do të synojë Superioren, i duhen lojtarë më cilësorë.

Leshanaku Elbasani

Ky është thelbi i prononcimit të trajnerit Shkëlqim Lleshanaku për “Panorama Sport”. I rikthyer në stërvitje pas një problemi shëndetësor, ai pohon se skuadra është thuajse gati. “Mendoj se djemtë po e arrijnë formën fizike, pasi u bënë disa javë që kemi nisur stërvitjen. Më vjen mirë që bazën e kemi nga ekipi i sezonit të kaluar, por të mos presim mrekulli nga ky grup.

Në fillim kam thënë se s’mund të flas për objektiva konkretë pa ditur lojtarët që do kem në dispozicion, ndërsa tani them se jemi një skuadër mesatare, që mund të renditemi te mesi i tabelës. Megjithatë, në çdo ndeshje ne do të hyjmë për fitore”, u shpreh fillimisht trajneri Lleshanaku.

SUPERIORJA – Ai nuk i ka humbur shpresat për një ekip pretendent, pasi drejtuesit i kanë premtuar afrime cilësore para se të nisë kampionati. “Më kanë premtuar nga klubi se deri në nisjen e kampionatit do të bëhen afrime të mira. Nëse kjo ndodh, do të ishim ekip pretendent për t’u ngjitur një kategori më lart.

Na kanë thënë se gjërat do ndryshojnë për mirë, por të presim dhe të shohim. Aktualisht po i bëj llogaritë me kontingjentin që kam në skuadër”, e mbylli prononcimin për gazetën tekniku elbasanas, Lleshanaku. Deri në fillimin e kampionatit verdheblutë kanë programuar të tjera ndeshje miqësore.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"