Liverpuli sfidon Lajpcigun në Champions, Klop: Nuk kam ndërmend të dorëhiqem, fle pak por jam ende plot me energji

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 18:39

Liverpuli sfidon Lajpcigun në Champions, Klop: Nuk kam ndërmend të dorëhiqem, fle pak por jam ende plot me energji

Jyrgen Klop këmbëngul se ai është plot energji dhe nuk ka nevojë për një pushim për të kaluar këtë periudhë të vështirë rezultatesh për Liverpulin brenda edhe jashtë fushe. Trajneri gjerman e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të parë të Premier Ligës pas 30 vitesh sezonin e shkuar, por shpresat e mbrojtjes së trofeut këtë vit janë zbehur shumë pas 3 humbjeve radhazi që kanë pësuar fituesit në kampionat, duke zbritur -13 nga Siti kryesues.

0_Jurgen-Klopp

U përfol se 53-vjeçari, i cili pak ditë më parë ka humbur edhe nënën, mund edhe të jepte dorëheqjen pas humbjes me Lestërin, por në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së vajtjes me Lajpcigun, e vlefshme për 1/8-at e Champions-it, ai tha: “Unë nuk kam nevojë për pushim. Shikoni, gjëja e fundit që unë dua të bëj është të flas për gjërat private ne një konferencë për shtyp, por të gjithë e dinë që privatisht ne kemi pasur një kohë të vështirë. Ajo nuk ka qenë vetëm gjatë 3 javëve të fundit, por për një periudhë më të gjatë dhe ne përballemi me të gjithnjë si një familje. Unë kam 30 vite që punoj në futboll dhe 20 vite si trajner. Mund t’i ndaj gjërat dhe të mos i marr problemet me vete.

Kur jam në jetën private jam në jetën private dhe kur punoj, punoj. Sigurisht që ne ndikohemi nga gjërat që ndodhin përreth nesh, por askush nuk duhet të shqetësohet për mua. Mund të mos duket kështu sepse koha nuk është e bukur këtu, mjekra po më bëhet gjithnjë e më shumë gri. Po, nuk fle shumë, por jam plot energji. Situata në të cilën ndodhemi është një sfidë dhe unë e shoh si një sfidë interesante”. Ai premton se skuadra do ta kthejë këtë situatë dhe do t’ia dalë me sukses: “Do ta zgjidhim këtë sfidë duke luajtur futboll dhe duke luftuar me gjithçka kemi. Ky është plani që kemi. Shumë njerëz nuk janë të lumtur me rezultatet. E kuptoj këtë dhe jam përgjegjës, por sërish kemi luajtur futboll të bukur”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"