Përfundon ashtu siç pritej në Kukës, Tirana shkon në gjysmëfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2017 | 13:37

Përfundon ashtu siç pritej në Kukës, Tirana shkon në gjysmëfinale

Kukësi dhe Tirana do ta kenë tashmë shumë të vështirë të shuajnë zërat për një aleancë mes tyre. Takimi i kthimit në Kupën e Shqipërisë jo vetëm dekretoi kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, por edhe me rezultatin e trumbetuar gjatë në rrjetet sociale nga tifozët bardheblu, 0-0.

Në një ndeshje që u luajt me ekipet rezervë, sigurisht që spektakli që u afrua ishte ai që prisnin të gjithë, dy skuadra që shkonin deri pranë zonës kundërshtare, por që rrallëherë gjuanin në portë. Më saktësisht, gjuajtjet në kuadrat ishin vetëm në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, triumfoi jo frika për të pësuar, por frika për të shënuar.

Këtë e kuptuan edhe tifozët e Kukësit, të cilët për të mos vërshëllyer skuadrën e tyre, vërshëllyen atë të Tiranës sapo lojtarët e kësaj të fundit preknin topin. Kualifikimi në gjysmëfinalen e turneut, pas shumë vuajtjesh dhe në një sezon të trazuar, normalisht duhej të ishte një festë për Tiranën. Por mjaftonte të shihje se si lojtarët bardheblu dolën nga fusha e lojës, për të kuptuar se ishin thjesht të lumtur që i dhanë fund një spektakli të shëmtuar që nuk bindi askënd.

kukesi tirana

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Vjen vërshëllima e Metës që i jep fund ndeshjes e cila nuk dhuroi emocione prej shumë minutash. Eliminohet Kukësi.

87’ Kukësi qarkullon topin para zonës së Tiranës, por askush nuk gjuan drejt kuadratit, duke kaluar sferën sa në njërën anë, në tjetrën.

86’ Çema i dhuron topin Edeh i cili shkon i vetëm drejt zonës së Kukësit por vonohet në momentin e gjuajtjes duke i dhënë mundësinë vetë mbrojtësit verilindor që të korrigjojë gabimin e tij.

72’ Ka rritur lojën ndjeshëm Tirana, që tani gjen më shumë hapësira në prapavijën e Kukësit. Gjoka bën një tjetër lëvizje, duke larguar Lenën, plotësisht në hije sot, për të aktivizuar të riun Koldashi.

66′ Vjen momenti i debutimit të sulmuesit Ebong, i cili zë vendin e Gurit në fushë për vendasit.

63’ Kombinime të shpejta të vendasve në hyrje zonës së Tiranës, topi arrin te Hasani i cili provon me një gjuajtje të fortë nga e majta, por Bakaj i kundërpërgjigjet duke kaluar topin mbi traversë.

61’ Situata zhvendoset në portën tjetër me një kundërsulm të shpejtë, ku Edeh shfaqet në pozicion të volitshëm, por nuk gjen portën me Edeh.

61’ Aksion i shpejtë i Rangel i cili hyn në zonë duke detyruar Bakajn të dalë për të larguar topin nga këmbët e tij, sfera përfundon mes futbollistëve kuksianë por Hasani dhe Guri ngatërrohen duke mos gjuajtur në portën e boshatisur.

57’ Romuald kundërsulmon rrezikshëm nga e majta, bën gjithçka mirë duke hyrë në zonë, por gjuan në mënyrë krejtësisht të gabuar për të dërguar sferën jashtë kuadratit pa shqetësuar Koçin.

55’ Doka nis një top të saktë nga e djathta në zonën e Kukësit ku Taku kontrollon por nuk ka shënjestrën e duhur për të dërguar topin në rrjetë duke e kaluar mbi traversë.

52’ Goditje dënimi nga e majta e Lushtakut, Hasani, i cili po luan praktikisht si sulmues në këtë sfidë, nuk arrin të kthejë topin drejt kuadratit të bardhebluve.

46′ Pjesa e dytë fillon me një zëvendësim te kryeqyetetasit, ku tani në fushën e lojës hyn Doka në vend të Kërçikut..

45’ Mbyllet pa asnjë minutë shtesë pjesa e parë në Kukës.

43’ Guri shpërdoron mundësinë më të mirë për të rihapur kualifikimin. Rangel shkëputet në krahun e djathtë dhe jep një pasim perfekt për Gurin në anën tjetër. Por gjuajtja e sulmuesit përfundon ën trupin e Bakajt ndërsa edhe me tentativën e dytë ai nuk arrin të gjejë kuadratin duke e çuar topin shumë lart mbi traversë.

41’ Gjuajtje nga distanca e Merveil, Koçi ndal goditjen e mesfushorit bardheblu ndërsa më pas topi largohet nga zona duke i hequr mundësinë Edeh të rrezikojë.

32’ Kukësi po luan në sulm në këtë ndeshje, ku arrin t’i afrohet lehtësisht zonës së rreptësisë së Tiranës, por jo të lëshojë gjuajtje të rrezikshme drejt katërkëndorit të Bakajt.

26’ Harkim perfekt i Hoxhallarit nga krahu i majtë, Edeh me kokë gjuan në kuadrat por Koçi arrin të devijojë duke shpëtuar portën.

19’ Kale vë në provë reflekset e Bakajt me një gjuajtje nga jashtë zonës, por gardiani bardheblu është i vëmendshëm dhe devijon në goditje nga këndi.

17’ Aksion i rrezikshëm në zonën e Tiranës, pas një rrëmuje topi shkon drejt Hasanit por Taku është në pozicion dhe nuk e lejon mesfushorin të godasë në portë.

5′ Deri tani, skuadrat janë mjaftuar vetëm me gjuajtje të lehta nga distanca. Edhe Kale, që kishte hapësirë në zonë, gjuajti shumë lart mbi traversë.

1′ Fillon ndeshja në Kukës.

Kukësi-Tirana 0-0

Kukësi: Koçi, Memini, Çema, Imami, Rrumbullaku, Lushtaku, Lena (72′ Koldashi), Hasani, Kale, Guri (66′ Ebong), Rangel

Trajner: Ernest Gjoka

Tirana: Bakaj, Kërçiku (46′ Doka), Turtulli, Cake, Hoxhallari, Taku, Daja (85′ Deliaj), Mervejl, Romuald (90’+1′ Nuriu), Halili, Edeh

Trajner: Mirel Josa

KV: Memini, Hasani

Gjyqtar: Kridens Meta

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"