Lipi: Mario Baloteli është një “kalë race”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2014 | 16:08

Lipi: Mario Baloteli është një “kalë race”

LipiMarçelo Lipi është gati për të shijuar eksperiencën e Botërorit brazilian, ndonëse këtë herë vetëm si tifoz. Trajneri kampion bote me Italinë në vitin 2006 e di mirë sesi fitohet një turne i tillë, ndonëse e di mirë edhe sesi mund të dështohet në mënyrë të turpshme, duke rikujtuar Afrikë e Jugut 2010. Por, gjithsesi, kujtimet e bukura janë gjithmonë ato që vrasin të shëmtuarat dhe pikërisht duke u rikthyer në aventurën gjermane, 66-vjeçari Lipi kërkon të ndihmojë Prandelin dhe Italinë që të bëjnë një udhëtim të këndshëm dhe pse jo surprizues në “Brazil 2014”. “Cilido që bën profesionin tim, e di mirë që nuk ka asgjë më ekzaltuese sesa pjesëmarrja në një Botëror. Një aventurë e tillë mund të përbëjë kurorëzimin e një karriere, arritjen e një objektivi, përballjen me rivalët dhe realitetet sportive më të forta në botë. Pastaj, nëse ke të njëjtin fat që unë pata, duke e fituar këtë Botëror, atëherë emocione të tilla është e vështirë t’i shpjegosh”, – bën hyrjen e tij trajneri italian.
Cili është aspekti kryesor që duhet të ketë një kombëtare për të ecur pozitivisht në një Botëror?
Kur nis një udhëtim të tillë, është e rëndësishme që i gjithë grupi të vozisë në të njëjtin drejtim, ose përndryshe ai ose ata që ecin kundër duhen kapur prej veshës dhe të largohen sa më shpejt nga grupi. Por, Italia gjithmonë ka ditur t’i mposhtë të tilla gjëra. Sa më i ashpër të jetë ambienti jashtë grupit të tyre, aq më e bashkuar bëhet kombëtarja. Prandaj, jam i bindur se edhe këtë çështjen ‘Rosi’ që ka ndodhur së fundmi, futbollistët e Prandelit do dinë ta transformojnë në energji pozitive.
Ju do ta kishit marrë Rosin në kombëtare, në vend të Prandelit?
Lista e një Botërori përpilohet në bazë të motivimeve teknike. Nëse dikush nga jashtë e arsyeton një lojtar në mënyrë individuale, trajnerët duhet të arsyetojnë teknikisht, duke u bazuar fillimisht te moduli i lojës, te situatat e veçanta që mund të ndodhin në një turne të tillë, pse jo edhe te kurthet që mund të fshehë klima, si në rastin e Brazilit sivjet. Gjithsesi, unë nuk e kam fshehur kurrë faktin se mosgrumbullimi i Xhuzepe Rosit nga ana ime në Botërorin 2010 është një nga pengjet më të mëdha të karrierës, ndonëse nuk e dënoj zgjedhjen e Prandelit.
Të gjithë prisnin Rosin, por asnjë Kasanon…
Personalisht nuk jam i habitur nga kjo zgjedhje. Prandeli e ka thënë gjithmonë se do t’i mbajë nën vëzhgim të gjithë, edhe ata lojtarë që mbase nuk janë grumbulluar për një kohë të gjatë. Dhe kështu ndodhi me Kasanon, s’ka asgjë skandaloze këtu.
Shumë e quajtën një surprizë Italinë kampione në 2006- n, po ju?
Fillimisht mbase po, por ne bëmë një fazë eliminatore fantastike dhe një fazë përgatitore akoma më bombastike, duke mundur Holandën 3-1 në Amsterdam, por shkatërruam edhe Gjermaninë në Firence në shifrat 4-1. Duke fituar i shton edhe siguri vetes, sidomos kur arrin që ta nisësh edhe me një fitore bindëse fazën e grupeve. Pastaj, në 2006 unë kisha në superformë kampionë si Pirlo, Bufon e De Rosi, pa harruar sulmin me Tonin, Totin, Del Pieron e të tjerët që thuajse shënuan të gjithë. Pa këta në 2010-n, e pamë të gjithë se çfarë ndodhi, ndonëse nuk justifikohet ai turpërim.
Italia do të debutojë me Anglinë, si e parashikoni këtë takim?
Italinë e shoh më të fortë mbi aspektin teknik, ndaj besoj se Italia do ta nisë me një fitore Botërorin në Brazil.
Tek Anglia duket sikur duan të heqin dorë edhe nga Runi, i cili rrezikon rolin e titullarit, ose mund të sakrifikohet deri në mesfushë…
Këtë fakt mund ta quaj një kafshëri. E kuptoj që Hoxhson duket i shtyrë nga kopjimi i skemës së Liverpulit, por njëkohësisht nuk më duket se në grupin e anglezëve vlojnë kampionë të shumtë, me përjashtim të Runit. Por, nëse e bëjnë këtë, më mirë për Italinë.
Rikthehemi te Botërori 2006 dhe disa personazhe. Mendoni se ky mund të jetë viti i Daniele de Rosit, edhe pse në Gjermani ju nuk ia falët bërrylin kundër SHBA-së?
Me De Rosin ndodh që ai të bjerë në të njëjtat gabime, siç ndodhi kundër SHBA-së në grup, kur pas avantazhit na la me 10 veta për gati gjithë ndeshjen dhe mori 4 ndeshje pezullim. Atë vit, De Rosi ishte basti im, sepse kishte edhe një vit me Shpresat, por unë e desha në Botëror. Kampionët si ai meritonin një shans, por kur u përjashtua nga fusha më tërboi, më shndërroi në një bishë. Për afro 10 ditë e injorova, ndonëse ai kërkonte të kishte një dialog me mua. Nuk e shihja në sy, aq sa mendova ta ktheja edhe në shtëpi, por brenda meje e dija që do ma shpërblente, siç bëri në finale, pasi goditi saktë penalltinë. De Rosi është një lojtar madhështor, një që me bluzën e kombëtares shfaqet edhe më fort sesa me Romën, ndaj kam besim se ky mund të jetë Botërori i tij.
Edhe Materaci ishte vendimtar në atë aventurë…
Marko ishte një lider i fshehur, ashtu sikur u konfirmua edhe një goleador surprizë ndaj Francës. Pasi shkaktoi penalltinë ndaj Zidanit e shleu atë gabim, nëse mund ta quajmë kështu.
Mendoni se sfida me Australinë ishte udhëkryqi më i vështirë i 2006-s?
Po, në 1/8-at rrezikuam shumë, pasi në 93 minuta kishim pasur rastet për të shënuar, por Bufoni bëri dy pritje fantastike që mund të na kishin dëmtuar rëndë. Pastaj, në sekondat e fundit, një mbrojtës si Groso gjen forcën që të shpërthejë në zonë edhe pse ishim në inferioritet numerik. Pastaj, penallti ose jo arbitri vërshëlleu, por pikërisht në atë moment u tremba më shumë. Kisha frikën se Toti do të godiste parabolë, si ndaj Holandës në “Euro 2000” dhe gjatë gjithë kohës i pëshpërisja pankinës: “Do godasë parabolë, do godasë parabolë”, – dhe fatmirësisht Françesko nuk e bëri, sepse portieri do t’ia kishte pritur. Realisht, nuk e dija sesi do të shkonte ajo ndeshje, nëse do kishte kaluar në shtesë, ndonëse aty e kuptuam të gjithë që ishim një grup shumë i fortë.
Me Ukrainën më pas ishte gjithçka e lehtë…
Po, në çerekfinale ndryshova gjysmën e ekipit dhe i besova Tonit. Ai nuk kishte shënuar asnjë gol deri në atë fazë, por unë i thashë: “Luka, sot është radha jote. Edhe pse nuk ke shënuar asnjë gol, mund të ndodhë që në një ndeshje të bësh 2 gola dhe ashtu ndodhi, pasi Zambrota na dha avantazhin fillestar. Në fund fituam 3-0, ndonëse mund ta kishim shndërruar në goleadë.
Gjysmëfinalja me Gjermaninë ishte perla e Botërorit…
E dinim që në Dortmund Gjermania nuk kishte humbur kurrë, por ne pas 90 minutave dolëm jashtë çdo skeme dhe i besuam forcës së grupit, grintës. Në shtesë nuk luhej më futboll, sepse topi shkonte sa në njërën fushë në tjetrën, por ne ishim bindur gjatë rrugës që ishim aq të fortë, sa nuk kishte asgjë që mund të na trembte. Kundër Gjermanisë ishim më të përqendruar se kurrë, ku me një “krokodil gjakftohtë” si Pirlo bëmë diferencën në pasimin e fundit. Edhe vetë Groso pas asaj ndeshjeje më tha: “E kuptova që Pirlo do ma pasonte topin mua, edhe pse po shihte nga ana tjetër e fushës”, – dhe e majta e Fabios tronditi gjithë Gjermaninë.
Sa ju trembi Franca dhe penalltitë në finale?
E vërteta, aspak… Pas gjithë atij rrugëtimi besonim shumë te fitorja. Gëzimi që ishim në finale na motivoi edhe më shumë, aq sa ishte ajo eufori që e shtyu Materacin në gabim, mbase i vetmi i kryer nga ai repart. Atë vit kishim një mbrojtje që nuk lejonte të kalonte një kikirik, jo më një top apo një kundërshtar. Në fund, përpara se të godisnim penalltitë të gjithë ishin të karikuar dhe ziheshin se cili do të merrte përsipër që të gjuante, ndryshe nga ajo çfarë më ndodhi në finalen e Champions-it 2003 me Juventusin, ku asnjëri prej të mive nuk kishte guximin që të ma kërkonte mundësinë e gjuajtjes, jo më ta bënte këtë. Trezegeja ishte ai që nuk donte kurrsesi që të ekzekutonte një penallti kundër Milanit dhe e gaboi. Por teksa e shihja të shkonte te pika e bardhë, tre vite më pas, më vinte të ulërija: “Më ke një borxh, ka ardhur koha që të ma shpërblesh”. Dëshira ime u bë realitet, ai gaboi, ndërsa Groso që kishte frikë ta gjuante penalltinë e fundit nuk gaboi. “Nuk kam kurajë ta marr këtë përgjegjësi”, – më tha, por unë iu përgjigja se ai ishte njeriu i minutave të fundit dhe do t’ia dilte. Ashtu shkoi, gjithçka përfundoi me festën tonë.
Lamtumira nga Italia nuk ishte e thjeshtë, por edhe rikthimi, apo jo?
Unë e kisha lajmëruar që sido që të shkonte Botërori, në fund do të largohesha nga stoli. Por, gjatë festimeve, Gatuzo më kapi prej fyti dhe gati po më mbyste, ndonëse ai nuk e kuptonte këtë. “Nëse largohesh, të betohem që do të të vras!”, – më tha. Por unë nuk e ha fjalën asnjëherë. Vetëm sepse të gjithë më njihnin mirë, shpëtoi edhe bashkëshortja ime. Pas kthimit në Itali, e gjithë skuadra i bëri një vizitë surprizë gruas sime në shtëpi, unë nuk isha, duke i kërkuar asaj që të më bindte të qëndroja. Me pak fjalë, situata ishte e rëndë, por edhe bashkëshortja ime i tha të njëjtën gjë, kur vendos diçka nuk e ha fjalën time. Ndërsa rikthimi ishte gabimi më i madh i karrierës sime. Një trajner që ka fituar një Botëror nuk mund të rikthehet më në atë stol, sepse kujtimet e së kaluarës të çorodisin, ndërsa grupi ndryshon.
Ju flisni me nostalgji për kampionët tuaj, por a mendoni se Baloteli mund të jetë i tillë për Prandelin në Brazil?
Mesa e kam ndjekur unë, më të mirën e tij Baloteli e ka dhënë me kombëtaren, në Europianin e dy viteve më parë. Prandaj, unë uroj që Mario të jetë një lojtar i turneve ndërkombëtare, si një kalë race, i fortë, i saktë dhe i pagabueshëm.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"