Lioni humb dy yje në të njëjtën ditë, Zhuninjo: Ja si eliminohet “Zonja”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2019 | 12:50

Lioni humb dy yje në të njëjtën ditë, Zhuninjo: Ja si eliminohet “Zonja”

Sikur të mos mjaftonte humbja me Ren në kampionat të dielën, Lioni ka marrë dy lajme të tjera negative ditën e djeshme. Skuadrës do t’i mungojnë për të paktën 6 muaj dy yje. Bëhet fjalë për kapitenin Memfis Depai dhe Xhef Rein Adelaid. Lojtarë ishin pjesë e formacionit, por anësori ofensiv doli nga fusha në minutën e 37-të për një problem në gju. 

zHUNINJO

9 minuta më pas, edhe holandezi u detyrua të braktiste tapetin e blertë. Analizat kanë qenë të pamëshirshme për të dy. Për Depain është diagnostikuar një këputje e ligamenteve të gjurit të majtë, teksa i riu Adelaid të njëjtin dëmtim e ka në këmbën e djathtë.

Për të dy do të duhen gjashtë muaj përpara se t’i shohim përsëri në fushë. Ata janë ndër lojtarët më të spikatur të Lionit dhe sigurisht që i ulin shanset e kualifikimit të francezëve në turin tjetër të Champions-it, duke qenë se përballë do të kenë Juventusin.

Kujtojmë se skuadra e drejtuar nga Rudi Garsia u kualifikua në fazën e 1/8-ave pas barazimit karambolesk me Lajpcigun javën e kaluar. Ndeshja u pasua edhe me një sherr mes tifozëve dhe pikërisht Depait dhe shkaku ishte një banderolë me anë të së cilës tifozët ftonin një nga lojtarët (Marselo) që të largohej.

DREJTORI – Për shortin e Olimpikut të Lionit ka folur Zhuninjo Pernanmbukano. Braziliani ka qenë një ndër liderët e ekipit, teksa sot mban rolin e drejtorit sportiv. “Juventusi është një përzierje ideale e punës dhe cilësisë. Skuadra është tepër e fortë, e sikur të mos mjaftonte, në gjirin e saj ka dikë si Ronaldo.

Ata janë favoritë, por nuk e nisim ndeshjen si të humbur. E dimë se do të duhet ndeshja perfekte e që portieri ynë të presë gjithçka. Kjo është mënyra se si mund ta eliminojmë Juven”, ka thënë për mediat franceze Zhuninjo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"