Limuzina dhe pritja e munguar për Gegën, Ruli shpjegon gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2016 | 10:53

Limuzina dhe pritja e munguar për Gegën, Ruli shpjegon gjithçka

Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, thotë se gjithçka që është raportuar në media është një sajesë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shpjegon versionin e tij dhe thotë se Gega u largua me të afërmit dhe familjarët e saj, prandaj zbriti nga limuzina.

Bezhani, Ruli dhe Luiza Gega

Mund të na shpjegoni çfarë ndodhi gjatë pritjes së Luiza Gegës. Pse atletja zbriti nga limuzina vetëm disa metra pas nisjes?

Luiza Gega u prit si mbretëreshë. Unë organizova gjithçka duke ftuar tifozët kuqezinj nëpërmjet rrjeteve sociale. U grumbulluan aq sa mundën për të pritur sportisten që na bëri krenarë të gjithëve. Në aeroport ishin edhe familjarët, të cilët janë më të afërt se ne që ishin të emocionuar. Ai emocion më tepër ndahet me familjarët.

Prandaj Luiza Gega zbriti nga limuzina, për ta bërë pjesën tjetër të rrugës me familjarët?

Gjithçka ishte pjesë e koreografisë. Limuzina u zgjodh e bardhë pikërisht për t’i dhënë një tjetër kuptim kësaj pritjeje për princeshën. Gjithçka ishte e planifikuar.

13631628_1618210815137591_6515799559854130776_n

Postimi i “Qytetaret per parkun”

Pra ishte planifikuar që atletja të zbriste nga makina 500 metra nga nisja?

Jo. Ishte planifikuar që Luizën ta dërgonim deri në shtëpi, por përderisa kishin ardhur motrat dhe të afërmit nga Durrësi dëshironin të udhëtonin së bashku. Për të mos prishur protokollin, i hipëm të dy atletët në limuzinë. Izmiri zbriti gjithashtu sepse u nis për në Shkodër. Secili iku në punën e vet më vonë. Nuk kishte më organizim në mbrëmje, pasi shkoi shumë vonë dhe, për këtë fakt, sportistët u larguan secili në shtëpinë e vet. Unë u mora me organizmin, i pagova paratë edhe për limuzinën pikërisht për të respektuar Luizën. Por unë nuk mund ta mbaj peng atë kur aty i kanë ardhur prindërit dhe të tjerë persona që ishin të pranishëm në aeroport.

Ju vjen keq që ka një diferencim të dukshëm mes futbollit dhe atletikës edhe në aspektin e pritjes?

Unë nuk mund të bëj të gjithë Shqipërinë që të bëjë tifozllëk me atletikën. Kjo ndodh edhe në Barcelonë dhe në Portugali. Kishte edhe atletë portugezë që fituan medalje, por edhe aty u morën me futbollin.

Luiza Gega

Kemi informacione që ju keni anuluar pritjen që do të bënte kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë, Veliaj.

Po, është e vërtetë. Me vendim unanim të atletëve dhe trajnerëve vendosëm që ta anulonim. Në ditët e ardhshme mund të ketë organizime të tjera. Këto ditë kanë kohë për t’u çlodhur dhe, më pas, le të bëhen takimet protokollare.

Nëse ju nuk keni në dorë të bëni tifozë gjithë Shqipërinë, e keni një mendim mbi faktin që politika duhet të ishte treguar e barabartë me atletikën dhe futbollin.

Ka një specifikë. Ne jemi të gëzuar me Luiza Gegën, por kemi një eksperiencë shumë të keqe edhe me shtangën. Këto dy-tre ditë janë një periudhë pauze për të pritur analizat që do të vijnë.

146833300412716_LUIZA-GEGA_15_8

Kjo do të thotë që takimi me kryeministrin është shtyrë për këtë fakt?

Unë nuk kam qejf që të organizojmë festa dhe më pas të prishet gjithçka dhe unë të bëhem pastaj molla e sherrit. Duhet t’i lëmë gjërat të ndodhin natyrshëm.

Kur pritet të mbërrijnë analizat?

Në rast se sportisti del negativ vjen, por nëse nuk është negativ, nuk vjen kurrë. Ne nesër do të bëjmë një ndërhyrje me instancat tona për të kërkuar tek organizatorët dhënien e analizave për të bërë një festë ashtu siç i takon Luizës. Unë e kam frenuar festën me vetëdije të plotë që kur ta hapim shampanjën të mos bëjmë pis askënd.

Gentjan Alinani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"