Lima: Kukësi më donte, por unë zgjodha kampionët, jam ambientuar shumë mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2015 | 10:27

Lima: Kukësi më donte, por unë zgjodha kampionët, jam ambientuar shumë mirë

Mateus Lima Kruz

Sulmuesi brazilian i Skënderbeut, Mateus Lima, ka rrëfyer dje për “Panorama Sport” transferimin në Shqipëri.

22-vjeçari pritej të firmoste për Kukësin, që e kishte tentuar që në janar, por dy javë më pari zgjodhi korçarët, pasi e joshi fakti që ishin kampionë në fuqi dhe do të luanin në Ligën e Kampioneve.

Tetë ditë te Skënderbeu, cilat janë përshtypjet e para?

Po e shijoj shumë aventurën time te Skënderbeu dhe që në fillim jam ambientuar me skuadrën. Shokët e ekipit më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë bërë të ndihem si në një familje të madhe.

Është eksperienca juaj e parë në Europë. Si e prisni?

Së pari, jam duke u përshtatur me klimën, pasi është shumë e ndryshme nga Brazili. Po sforcohem duke dhënë maksimumin, në mënyrë që të përshtatem sa më mirë me ekipin.

Te Skënderbeu keni gjetur edhe brazilianët Ademir e Romulo…

Po, Ademir më ka ndihmuar shumë dhe më ka folur mirë për Skënderbeun. Më ka thënë që për mua kjo është një mundësi shumë e mirë që të rritem si futbollist, pasi Skënderbeu ta jep këtë shans për të bërë më pas gjëra të mëdha në Europë.

E shikoni veten titullar?

Skënderbeu është i mbushur me kampionë dhe ka konkurrencë të madhe. Megjithatë, unë do të tregoj gjithmonë maksimumin tim për të zënë një vend titullari në këtë ekip.

Është e vërtetë që në të kaluarën keni pasur akord me Kukësin?

Po, shumë e vërtetë. Më kanë kërkuar, por atëherë kur mendoja se do të vija te Kukësi, klubi i ndërpreu lidhjet me mua. Gjithsesi, unë doja vetëm Skënderbeun, pasi ishte kampioni dhe luan në Champions. Ky klub mund të më japë mundësinë të tregoj nivelin tim edhe në Europë, me shpresën se mund të bëj gjëra të mëdha.

Sa gola mendoni se do të shënoni me Skënderbeun?

Sa më shumë të jetë e mundur, por një shifër konkrete s’mund ta them tani. Do ta ndihmoj për të arritur objektivat.

Pritet të debutoni në një ndeshje të Ligës së Kampioneve…

Është një mundësi që nuk u jepet shumë personave dhe unë e pata rastin të jem një prej tyre që e kam këtë shans. Do të mundohem ta ndihmoj ekipin për të kaluar disa ture në Champions.

Intervistoi: Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"