Lika: Prodhojmë lojë por nuk na duhen rastet, Luftëtari ka nevojë për pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2017 | 19:10

Lika: Prodhojmë lojë por nuk na duhen rastet, Luftëtari ka nevojë për pikë

Në intervistën pas ndeshjes me Skënderbeun, trajneri Hasan Lika u shpreh se skuadra e tij edhe pse ka pasur një kalendar të vështirë, ka zhvilluar lojëra të mira, por nuk ka marrë rezultatin që ka merituar. Ai u shpreh se edhe mund të kishte dalë me pikë nga transferta e Korçës, por fakti që nuk shënuan ato raste që patën, bëri që Skënderbeu ta meritonte fitoren.

lika

Çfarë menduat kur Lamçja gaboi përballë Shehit?

“Nuk ishte vetëm rasti i Lamçes. Edhe atij i vjen keq, por nuk shënoi. Mund të barazonim dhe do e ndërlikonim ndeshjen. I kishim marrë masat që të bllokonim lojën e Skënderbeut, e dinim kë kishim para. Kishim raste edhe në pjesën e parë. Gjithsesi, Skënderbeu e meritoi fitoren.”

Nuk finalizoni dot. 8 javë, 3 gola. Çështje psikologjike?

“Edhe më parë, skuadra ka krijuar raste. Nuk kemi një sulmues goli, por kemi humbur shumë raste që na kanë kushtuar pikë. Nuk na mjaftojnë vetëm shtyllat apo rastet, pasi na duhen pikët. Pavarësisht kundërshtarit, skuadra pati një rritje në lojë.”

Duke e njohur skuadrën, mendoni se pozicioni që keni për momentin nuk është i vërtetë?

“Po. E kam menduar edhe më parë. Nuk e meritonim të ishim në këto pozita për vetë lojën që ka prodhuar Luftëtari. Kemi bërë gabime, por nuk kemi marrë atë që kemi dhënë. Prodhojmë lojë por nuk marrim rezultatin.”

Sa ndikoi gabimi i fillimit ku pësuat golin?

“Ndikoi sepse pësuam shumë shpejt, veçanërisht jashtë fushe dhe ndaj Skënderbeut. Natyrshëm që ndikoi në aspektin psikologjik të skuadrës. Patëm një mungesë komunikimi, por reagimi i skuadrës ishte i mirë.”

A të shqetëson që ndeshjen e radhës me Lushnjën e gjeni me një moral të lartë?

“Natyrisht, ne kampionatin e kemi me të gjithë jo vetëm me Lushnjën. Djemtë japin maksimumin në stërvitje, kanë edhe rritje në lojë, por ne shkojmë për të fituar me të gjitha skuadrat. E kemi një ndeshje të fortë, por do kërkojmë fitoren.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"