Lika premton fitoren në sfidën ndaj Lushnjës: Vllaznisë i duhet president!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 11:37

Lika premton fitoren në sfidën ndaj Lushnjës: Vllaznisë i duhet president!

Vllaznia do të presë sot, në orën 14:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, Lushnjën në ndeshjen e prapambetur të javës së 10-të, ku objektivi i skuadrës mbetet vetëm fitorja. Kapiteni i skuadrës Gilman Lika, në konferencën e djeshme për shtyp, ka premtuar se kthesa e skuadrës do të vijë pikërisht në këtë përballje dhe do të vazhdojë.

Lika

Pas ndeshjes me myzeqarët, të dielën shkodranët do të presin Luftëtarin. Janë dy takime që duhen fituar patjetër, në mënyrë që skuadra të dalë nga momenti i keq ku ndodhet aktualisht. Ndërkohë Lika ka pasur edhe një mesazh për tifozët dhe të gjithë qytetarët shkodranë, që të mbështesin skuadrën.

Ndeshja ndaj Lushnjës konsiderohet “jetë a vdekje”. Jeni i këtij mendimi?

Është një ndeshje e vështirë, por që duhet fituar me çfarëdolloj mënyre. Nuk ka asnjë alternativë tjetër për ne. Kur nuk ke rezultate pozitive, atmosfera nuk ka sesi të jetë e mirë. Nuk është një situatë e qetë. Jemi në një moment të vështirë. Por forca tregohet në momente të vështira. Në çaste të mira të përkrahin të gjithë, por tani duhet që të mblidhen të gjithë çunat bashkë dhe të tregojmë karakter. Duhet që të bëjmë maksimumin që ta kalojmë këtë situatë.

Ndeshja e shkuar mund të konsiderohet moment dështimi?

Normalisht që është një moment i vështirë dhe këtë s’e them vetëm për atë takim, por tërësisht për këtë periudhë. Ne duhet të bëjmë maksimumin për ta kaluar këtë situatë në të cilën jemi. Nuk është kjo skuadër për këtë renditje që jemi.

Çfarë nuk shkon te Vllaznia, ose thënë ndryshe ku është problemi?

Kemi një ngërç psikologjik dhe kjo nuk diskutohet. Krijojmë raste për gol në çdo takim, bëjmë tre-katër raste dhe nuk arrijmë që të shënojmë, ndërsa ekipet e tjera vijnë vetëm njëherë në portën tonë dhe shënojnë me lehtësi. Ky është vetëm një problem psikologjik që kemi. Duhet fitore që të dalim prej kësaj gjendje. Grupi ka qenë i bashkuar në këtë periudhë. Ka nevojë jo për lojëra të mira, pasi këto i kemi zhvilluar, por për pikë maksimale.

A i trembeni garës për mbijetesë në Superiore?

Personalisht nuk e shikoj këtë skuadër për mbijetesë. Po arritëm rezultate pozitive të njëpasnjëshme, edhe kriza do të kalojë dhe do t’i kalojmë problemet psikologjike.

Tri ndeshje radhazi në “Loro Boriçi”, mendoni se është momenti i duhur për Vllazninë?

Kemi një shans shumë të mirë duke pasur tri ndeshje në shtëpinë tonë. Është një detyrë për ne që të marrim maksimumin e pikëve dhe shpresoj që ta bëjmë këtë gjë. E, nëse arrijmë këtë gjë, atëherë do të ndryshojë gjithçka komplet.

Vllaznia

Në stolin e Lushnjës është Hysen Dedja, keni kujtime nga trajneri, i cili ju ka drejtuar në të kaluarën…

Profesor Dedja më ka futur në formacion dhe e respektoj për këtë. Por në fushë gjërat janë ndryshe. Ai është shkodran vetë dhe e di se në fushë nuk ke çfarë t’i bësh dhe do të kërkojmë për të fituar ndeshjen. Për profesorin është respekti maksimal.

Përveç Lushnjës, cilën skuadër shihni tjetër për mbijetesë?

Unë nuk mund të them se kush është për mbijetesë. Por di të them se ekipin tim nuk e shikoj për mbijetesë. Kemi një ngërç psikologjik që do ta kalojmë dhe keni për ta parë se kjo skuadër shumë shpejt do të dalë nga kjo gjendje.

Tifozëria është e zhgënjyer, keni një mesazh për ta?

Tifozët që e duan Shkodrën, por edhe ju gazetarët që u mblodhët të gjithë bashkë në ndeshjen e fundit me Tiranën që u sensibilizuat për këtë skuadër, duhet që të bashkohemi sërish se fanella kërkon një mbështetje. E dimë se i meritojmë kritikat, por është një moment ku ekipi duhet mbështetur.

I mungon Vllaznisë një president në krye?

Është e qartë dhe çdo njeri e di se kur ka një president që merret 100% të kohës me skuadrën, është një mbështetje e madhe për të. Këtë e ka treguar edhe historia.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"