Lika i bindur: Ndaj Dinamos do të jetë spektakël, Vllaznia nuk ndalet më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 13:22

Lika i bindur: Ndaj Dinamos do të jetë spektakël, Vllaznia nuk ndalet më

Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, është optimist se skuadra do të arrijë te fitorja edhe në përballjen e tretë të këtij sezoni, atë me Dinamon. Një sfidë që dikur është shijuar në Superiore, por tashmë këto dy emra do të përballen për të kërkuar daljen në elitë. Për teknikun është një përballje mes rivalësh historikë.

lika

Shqetësim për kuqeblutë mbeten dëmtimet dhe viroza që po kalojnë disa nga lojtarët titullarë të ekipit. “Ne kërkojmë në çdo ndeshje që të jetë Vllaznia më e mirë. Ne nuk mund të justifikohemi se kemi filluar me vonesë apo kemi pasur ato apo këto probleme. Sigurisht që kemi të meta. Por, në çdo stërvitje kërkojmë që futbollistët të japin më të mirën për të përballuar një kampionat të gjatë dhe të fortë”, tha ndër të tjera Lika gjatë konferencës së djeshme për shtyp në prag të ndeshjes së sotme ndaj Dinamos që do të luhet në orën 16:00. Në këtë takim, trajneri Hasan Lika nuk do të ketë të gatshëm kapitenin Gilman Lika që ka probleme muskulore.

Dikur ndesheshin në Superiore, ndërsa tani në Kategorinë e Parë, si e shikon tekni ku Lika përballjen me Dinamon?

Sfidë e fortë. Janë që të dyja skuadra të traditës që kanë prodhuar gjithmonë takime të bukura. Për më tepër janë dy skuadra që udhëheqin tabelën e renditjes. Megjithatë, ne shpresojmë që ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Shpresoj dhe besoj që të jetë një ndeshje e bukur.

Përsëri dëmtim edhe para kësaj sfide, çfarë po ndodh?

Kemi probleme dëmtimesh e po ashtu edhe virozash. Megjithatë, shpresojmë që deri nesër (sot), të kenë përmirësim disa prej tyre.

Në kampin dinamovit theksohet se ka premio për “kokën” e Vllaznisë. Sa mund të ndikojë kjo në skuadrën tuaj?

Normale që çdo skuadër mund të ketë premio para ndeshjes, por ne shikojmë punën tonë. Ne kemi një premio më të madhe, pasi kemi detyrim që të japim maksimumin më fushën e lojës për të kaluar me sukses këtë ndeshje.

Sfidë që vendos shumë gjëra apo është ende herët?

Është fillimi. Do të ishte pozitive që të vazhdojmë në ecurinë pozitive të javëve të para. Është pozitive që të zhvillojmë një lojë të mirë dhe natyrisht që të marrim edhe një fitore. Qëllimi në fushën tonë është vetëm për të fituar ndeshjet.

Është pozitive që luani në stadiumin “Loro Boriçi”?

Ky është stadiumi ynë. Natyrisht që është pozitiv zhvillimi i takimeve aty. Por, do të na duhet që të luajmë edhe në fushën “Reshit Rusi”, nëse fusha e stadiumit “Loro Boriçi” do të ketë nevojë për ndonjë riparim.

Kur mund ta shikojmë Vllazninë e vërtetë, atë me formën më të mirë në fushën e lojës? Ne kërkojmë në çdo ndeshje që të jetë Vllaznia më e mirë. Ne nuk mund të justifikohemi se kemi filluar me vonesë apo kemi pasur ato apo këto probleme. Sigurisht që kemi të meta. Por, në çdo stërvitje kërkojmë që futbollistët të japin më të mirën për të përballuar një kampionat të gjatë dhe të fortë. Do të jetë një garë e ashpër dhe do duhet të jemi të përqendruar në çdo takim për të marrë maksimumin. Do të jetë një kampionat i gjatë dhe besoj se në fund do ta mbyllim me sukses.

Keni pasur një takim sot (dje) me skuadrën para seancës stërvitore, çfarë i keni thënë? Jemi njohur me kundërshtarin. Kemi parë individët që ka në përbërje të tij kjo skuadër. Përveç përgatitjes tekniko-taktike, kemi edhe përgatitjen e ndeshjes në aspektin teorik. Një punë rutinë e jona për të njohur më mirë kundërshtarin e radhës

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"