Lika: Harrojini barazimet, jemi të qetë për rrogat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 14:58

Lika: Harrojini barazimet, jemi të qetë për rrogat

Vllaznia i ka dhënë fund dje javës së përgatitjeve për takimin e radhës me ekipin e Burrelit, i dyti brenda 4 ditëve. Nëse të mërkurën morën barazim, këtë herë Hasan Lika e thotë hapur që do vetëm e vetëm fitoren. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat, numri një i pankinës shkodrane, jep një mesazh të qartë edhe për sulmin. Ai pret gola jo vetëm nga braziliani Xhunior, por prej çdo futbollisti të ofensivës. I pyetur për ngërçin e pagave të padhëna prej disa muajsh, pas bllokimit të llogarive bankare të klubit, Lika sqaron se nuk ka vend për panik.

lika

Pas 4 ditësh riktheheni në Burrel, çfarë ndryshimi do të ketë ky 90-minutësh krahasuar me atë të kupës?

Në ndeshjet e kupës kërkohet që të arrihet më e mira për të siguruar kualifikimin. Sakaq, kampionati ka tjetër specifikë: luhet për tri pikë. Ndërsa, për sa i përket mënyrës së të luajturit mendoj se nuk do të ndryshojmë shumë. Por, në këtë takim kemi disa mungesa dhe ky fakt na krijon një lloj shqetësimi.

Prisni që kundërshtari të jetë edhe më shumë i mobilizuar nesër (sot)?

Unë mendoj se skuadra e Burrelit ishte një skuadër e mirorganizuar. Në takimin e kupës hasëm vështirësi dhe mendoj se në kampionat do të kemi edhe më shumë.

I druheni gjykimit, pasi në kupë patën pretendime për atë penallti të dyshimtë që u dha në favor të Burrelit?

Nuk mendoj se gjykimi ishte problem edhe në ndeshjen e kupës, ishte gjithçka normale. Megjithatë, momenti i penalltisë, siç edhe e pamë ne, mbetet i diskutueshëm.

Mund t’ju kënaq edhe një barazim në këtë përballje?

Nuk mund të kënaqem me një barazim. Ne do të kërkojmë që ta fitojmë ndeshjen, duke luajtur mirë si kolektiv, por edhe individualisht. Kemi pretendimet tona për të bërë më të mirën gjatë këtij kampionati.

formac

Çfarë keni ndryshuar për ta fituar këtë ndeshje?

Ndryshimet do të jenë minimale. Ne punojmë gjatë gjithë javës dhe përgatitemi për të fituar.

Braziliani Xhunior po kthehet në “lider”, dy gola në vetëm 180 minuta. A është ky një sinjal pozitiv për sulmin?

Ka rezultuar efikas. Ka bërë detyrën. Por, këtë gjë duhet ta bëjnë edhe të tjerët. Kemi 4-5 futbollistë që duhet të shënojnë. Nëse janë efektiv, do të marrim rezultatet që dëshirojmë. Gola pres prej Gilman Likës, Arsen Hajdarit apo edhe Zogajt me shokë. Ne duhet ta shpërndajmë shënimin e golave, që të jemi më të suksesshëm. Por, nganjëherë në futboll ju e dini shumë mirë se ai që ka cilësitë individuale për të shënuar golin, i ka cilësitë e nuhatjes drejt postës më të spikatura se shokët.

Llogaritë bankare janë bllokuar dhe rrjedhimisht nuk ka as rroga. Sa do të ndikojë ky ngërç te skuadra?

Çështja e pagave vjen prej një problemi teknik dhe është i zgjidhshëm. Të gjithë janë të qetë në këtë drejtim, nuk na shqetëson në punën tonë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"