Lika: Gjykimet na kanë dëmtuar, me Laçin tregojmë forcën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2017 | 10:59

Lika: Gjykimet na kanë dëmtuar, me Laçin tregojmë forcën tonë

Në Gjirokastër i druhen gjykimit. Veç tifozëve, edhe trajneri Hasan Lika evidenton “frikën” për përsëritje të historisë. Në konferencën e dhënë dje për mediat, ai u mëshoi ndjeshëm gabimeve të një jave më parë, ndërsa bëri apel që FSHF-ja të marrë në konsideratë reagimin e tifozëve gjirokastritë.

lika hasan

“Gjykimet e gabuara e kanë penalizuar jo pak Luftëtarin. Një ‘melodi e vjetër’, e transmetuar nga sezoni i vjetshëm. Kanë qenë gjykimet, me ose pa dashje, ato që na kanë ndëshkuar. Për pasojë vuajmë këtë pozicion aspak komod në klasifikim. Më vjen mirë që tifozëria është pasqyrë e kulturës sportive në mbarë vendin.

Por, kur nëpërkëmbet një skuadër, një klub dhe një qytet i tërë, nga instancat më të larta të futbollit shqiptar lipset vetëm seriozitet dhe ndershmëri në garë. FSHF-ja duhet që të marrë në konsideratë reagimin e tifozëve vendës, me qëllim mospërsëritjen dhe ndalimin e këtyre gjykimeve, jo vetëm kur ka luajtur Luftëtari, por dhe ekipet e tjera”, u shpreh fillimisht Lika.

Humbja e fundit e Luftëtarit në shtëpi 2-3 ndaj Teutës, me sa duket, nuk ia ka zbehur aspak optimizmin trajnerit Lika dhe lojtarëve të tij para ndeshjes së sotme.

“Laçi përballet nesër (sot) me ne pas një ecurie të mirë dhe kësisoj do të synojë fitoren. Nga ana tjetër, edhe ne si skuadër i kemi marrë të gjitha masat për të përballur këtë kundërshtar. Të gjithë futbollistët kanë dhënë maksimumin në seancat stërvitore dhe mbeten të prirur për të treguar forcën e vërtetë”, shtoi numri një i pankinës.

Në një kohë që Luftëtarit do t’i duhet të përballet sot me Laçin , në orën 14:00 , Lika ka një tjetër apel në adresë të strukturave të futbollit shqiptar, teksa thotë: “Të gjitha ndeshjet është mirë të luhen në të njëjtën ditë”.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"