Lika: Flamurtari i frikshëm në transferta, klubi të gjejë zgjidhje për ultrasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 10:38

Lika: Flamurtari i frikshëm në transferta, klubi të gjejë zgjidhje për ultrasit

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, e cilëson të frikshëm në transfertë kundërshtarin e radhës, Flamurtarin. Në konferencën e djeshme për shtyp, mesfushori shkodran i bëri apel klubit që të gjejë gjuhën e përbashkët me “Vllaznit Ultras”, pasi ekipit kuqeblu i duket vetja sikur nuk luan në shtëpi sa herë është pritës në “Loro Boriçi”.

Lika dhe Hasani

Gilman, a ndikoi pozitivisht ndërprerja e kampionatit te skuadra?

Të them të drejtën, periudha e ndërprerjes së kampionatit prej dhjetë ditësh na ka ndihmuar, pasi kemi punuar me seanca shtesë stërvitore. Dihet që jo gjithë lojtarët janë në 100% të formës fizike. Mendoj se ka qenë shumë pozitive për ekipin ky dhjetëditësh.

E shikoni ndeshjen me Flamurtarin si pikën e kthesës së Vllaznisë?

Është një ndeshje që ne duhet ta marrim me çdo kusht fitoren, sepse nuk kemi rrugë tjetër. Sigurisht që për t’ia plotësuar edhe qejfin tifozëve, por edhe për veten tonë, sepse na ndihmon shumë për vazhdimësinë. Një trepikësh në këtë ndeshje besoj se do t’i kishte dhënë qetësi të madhe ekipit.

Pse në 4 javët e para Vllaznia ka pasur oshilacione?

Mendoj se do pak kohë ekipi. Kanë ardhur shumë lojtarë dhe normal që ndikon kjo në skuadër sa i përket ambientimit me njëri-tjetrin. Ndoshta pak edhe forma fizike ka ndikuar, por, siç e kam thënë edhe më përpara, jam shumë optimist për të ardhmen.

Ka patur kritika për lojën nga ish-futbollistët e Vllaznisë, ku njëri prej tyre ka qenë Suad Lici. Çfarë mund të thoni?

Suadi ka një eksperiencë të madhe në kampionatin shqiptar, por gjithsecili ka mendimin e vet për mënyrën e lojës së Vllaznisë. Nuk e kundërshtoj atë që ka thënë Lici.

Ju pret një kalendar i ngjeshur, është ky një problem?

Janë shumë ndeshje në një kohë të shkurtër, por besoj se jemi përgatitur për të dhënë maksimumin. Çdo ndeshje që kalon është më e vështirë se tjetra.

Thatë që ju duhet fitorja me çdo kusht ndaj Flamurtarit. Po një barazim do të ishte OK?

Dëshira ime është që të marrim maksimumin në çdo ndeshje, as që bëhet fjalë. Nuk e imagjinoj që të futet në ndonjë ndeshje për të menduar për barazim. Por, shpresoj dhe jam i bindur që edhe ekipi e ka këtë mentalitet, pasi çdo ndeshje ne duhet të futemi për ta fituar.

Ju keni luajtur në Vlorë, si e shikoni këtë Flamurtar në krahasim me Vllazninë?

E njoh mirë Flamurtarin, e kam diskutuar edhe me shokët e ekipit. Janë një skuadër që më mirë luajnë ndeshjet jashtë fushe, sesa ato brenda. Pra, janë një ekip i frikshëm në transferta dhe duhet kujdes.

Kundër do të keni edhe Bicajn, keni diçka për t’i thënë?

Kështu është futbolli, një lojtar që ishte vjet te Vllaznia mund të jetë te Flamurtari apo diku tjetër. Me gjithë respektin, që ai është shok dhe mik i yni, thjesht duhet ta vlerësojmë maksimalisht, kaq.

Është skuadra më e motivuar tashmë pas marrjes së rrogave?

Normal që ana financiare është e rëndësishme tek çdo ekip. Dhënia e pagave është diçka pozitive dhe normalisht tani jemi më të qetë. Skuadra është më e përqendruar te stërvitja dhe ndeshjet.

Pas humbjes me Teutën, Vllaznia duket se humbi edhe tifozërinë. Cili është apeli juaj?

Unë, në fakt, kam dashur me kohë të flas për këtë gjë, pasi dihet edhe problemi që kanë në lidhje me organizimin. Grupimi “Vllaznit Ultras” nuk po vijnë në stadium dhe kjo është shumë problematike për ne, pasi luajmë në shtëpinë tonë dhe na duket vetja sikur jemi jashtë fushe. Vijnë ekipet në Shkodër dhe nuk e ndiejnë presionin e tifozëve. U bëj thirrje drejtuesve të klubit që ta gjejnë një zgjidhje sa më parë, pasi ultrasit duhet të vijnë me patjetër në stadium.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"