“Lika dhe Hyseni kanë thyer rregulloren e klubit”, Çoçlli: Besoj te lojtarët e rinj, ndaj Vllaznisë nuk dalim pa pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2020 | 9:15

“Lika dhe Hyseni kanë thyer rregulloren e klubit”, Çoçlli: Besoj te lojtarët e rinj, ndaj Vllaznisë nuk dalim pa pikë

Luftëtari do të tentojë surprizën sot në Shkodër, duke harruar atë humbje në shtëpi ndaj Flamurtarit. Në fazën e parë gjirokastritët kanë dalë me pikë ndaj Vllaznisë dhe trajneri Nikolin Çoçlli shpreson që skuadra ta ketë kaluar ngërçin e humbjes së fundit. Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri bluzi foli për të gjitha çështjet që e shqetësojnë në prag të ndeshjes, ndërsa beson te pikët në transfertë. coclli-2

Si e shpjegoni faktin që skuadra ka shumë oshilacione nga ndeshja në ndeshje dhe nuk keni gjetur ende një formacion ideal? 

Çunat janë të rinj dhe kanë qejf për të luajtur, sepse ai është qëllimi kryesor. Ne mundohemi t’i japim çdo lojtari mundësi, edhe pse ata janë në kushte të barabarta me njëri-tjetrin. Diferencat mes tyre janë të vogla. U kam kërkuar lojtarëve që ditën e parë të kenë kujdes, sepse e di që kjo moshë nuk ka garancinë e duhur. Po të shohim rezultatet, nuk kemi bërë rresht dy rezultate pozitive. Me këtë grup lojtarësh nuk është i garantuar një formacion stabël, prandaj dhe ka pasur lëvizje.

Çfarë ka ndodhur me Likën dhe Hysenin që janë pezulluar? 

Janë lojtarë që e kanë thyer rregulloren e klubit, disiplinën. Normalisht janë penalizuar, në bazë të rregullores së brendshme të klubit. Ka një rregullore që të gjithë do ta respektojmë, nga unë i pari dhe deri te lojtari i fundit.

Lojtarët e ardhur në merkato nuk po bëjnë diferencën. Mos ndoshta aktivizimi i tyre ka prishur klimën në ekip?

Lojtarët janë të rinj. Nuk kemi marrë lojtarë që, le të themi, janë titullarë. Vetë ambienti nuk e suporton dot. Janë të rinj që kanë nevojë për kurajo. Situata i ka penalizuar, sepse e kanë të vështirë të bëhen protagonistë, duke parë ambientin dhe gjendjen emocionale.

Ka diçka jashtë futbollit që Demo dhe Oshafi nuk u aktivizuan ndeshjen e fundit si titullarë? 

Absolutisht asgjë. Oshafi vjen pas një dëmtimi, ndërsa Demo ishte i ngarkuar nga ndeshja e Kupës dhe menduam të qëndronte pushim.

Për çfarë luan Luftëtari sot në Shkodër? 

E kam thënë gjithmonë që në çdo ndeshje do të tentojmë për më të mirën. Gjithmonë këtë kemi bërë dhe në Shkodër vazhdojmë me këtë pikësynim, aq më tepër që klima në skuadër është rregulluar. Lojtarët kanë filluar të jenë më entuziastë, si dhe më të qetë për të gjitha elementet që ne na shoqërojnë. Besoj se do të kemi sukses, edhe pse humbja me Vlorën nuk e justifikon aspak ecurinë e skuadrës.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"