Lika: Barazimi ndaj Dinamos nuk i shërben Vllaznisë. Presion? Nuk paguhen kot me ato paga

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2021 | 21:03

Lika: Barazimi ndaj Dinamos nuk i shërben Vllaznisë. Presion? Nuk paguhen kot me ato paga

Gilman Lika, ish-kapiteni i Vllaznisë, është shprehur për ecurinë e javëve të para të kuqebluve dhe për të ardhmen. Për “Panorama Sport” Lika preku presionin tani gjithmonë e në rritje për sa i përket arritjes së rezultateve, por edhe për përballjen e së hënës me Dinamon.

lika

Një nisje jo ashtu siç pritej nga Vllaznia, cili është mendimi juaj?
Mendoj se ekipi kishte mundësi për të arritur edhe më shumë në këto takime. Skuadra luan një futboll të mirë dhe të vjen keq që nuk ka arritur që të marrë më shumë. Ekipi ka zhvilluar takime të mira, por edhe ka lëshuar shumë. Vllaznia nuk luan mirë me topin. Duhet që ta luajë atë më shpejt, sepse cilësitë e lojtarëve i ka për një gjë të tillë. Ecuria mund të quhet e mirë, pasi skuadra sërish po tregon lojë.

Mos ndoshta skuadra po vuan presionin e objektivave madhore?
Vllaznia ka pasur përherë presion. Në Shkodër gjithmonë ky presion ka qenë i madh. Këta lojtarë që ka Vllaznia nuk paguhen kot me ato paga, por janë lojtarë që duhet të mbajnë presion për objektiva madhorë. Ne përherë kemi pasur presion, ku më pak e ku më shumë.

Kupa mund të jetë një objektiv?
Pse jo. Kupa është një rrugë e shkurtër për të qenë në Europë. Vllaznia duhet ta shfrytëzojë atë.

Të hënën ndaj Dinamos, si e shikoni këtë përballje?
Dinamo për mua ka bërë një skuadër të mirë. Këtë e ka treguar në takimet e para. Vllaznia nuk do ta ketë të lehtë. E shikoj si një përballje rivalësh.

Besoni te një fitore e Vllaznisë?
Mendoj se për Vllazninë tri pikët janë një detyrim në këtë sfidë. Pas tri barazimeve një tjetër rezultat negativ që do ta quaja edhe barazimin nuk do t’i shërbente Vllaznisë. Dhe skuadrës i duhet vetëm fitore.

Vllaznia është në luftë për dy trofetë?
Vllaznia vjet nuk u mor seriozisht që pati atë nisje. Më pas e pati të vështirë të mbronte vendin e parë. Kësaj here, Vllaznia shikohet me një skuadër nga më të fortat për të mos thënë më e forta. Prandaj, Vllaznia ka për ta pasur më të vështirë këtë kampionat se edhe konkurrenca është rritur më shumë sesa kampionatin që shkoi.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"