LIGA UNIKE/ Tirana ngec në Rahovec, Kamza bie ndaj Prizrenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 16:06

LIGA UNIKE/ Tirana ngec në Rahovec, Kamza bie ndaj Prizrenit

Liga Unike e basket bollit të meshkujve ka mbyllur dje sfidat e javës së tetë, të vlefshme për sezonin e rregullt. Një javë që u shënua me 4 triumfe të ekipeve të Kosovës përballë atyre të Shqipërisë. Kështu, dje Tirana u thye në transfertë nga Rahoveci, ndërsa Kamza u mund në fushën e saj nga Prizreni. Kujtojmë që të martën Peja kishte mundur Teutën, ndërsa Golden Eagle Ylli skuadrën e Vllaznisë.

rahovec

RAHOVECI-TIRANA – Bardheblutë e Erkand Karajit kanë pësuar humbjen e tyre të katërt në Ligën Unike, teksa u thyen në transfertë nga Rahoveci me rezultatin 100-89.

Vendësit patën një epërsi të lehtë që në minutat e para, megjithatë Tirana e mori veten dhe arriti për një moment t’i barazonte shifrat në 19-19, por në sekondat e fundit Rahoveci shënoi 6 pikë, duke e fituar periodën e parë 25-19.

Edhe çereku i dytë i takimit ishte më i mirë për skuadrën nga Kosova, madje ky fraksion loje do të rezultonte vendimtar edhe për fatet e takimit. Rahoveci fitoi 32-21, duke shkuar me +17 pikë avantazh në pushimin mes dy pjesëve (57-40).

Në gjysmën e dytë të takimit Tirana provoi të reagonte, por pa sukses pasi Rahoveci e menaxhoi mjaft mirë diferencën e pikëve. Kështu bardheblutë i fituan dy periodat e mbetura respektivisht 22-23 dhe 21-26, por në shifra të përgjithshme triumfi shkoi për Rahovecin me +11 pikë. Për vreshtarët kjo ishte fitorja e tretë në Ligën Unike.

Duke kaluar te paraqitjet individuale, te Rahoveci shkëlqyen Milik Yarbrough me 31 pikë dhe 7 kërcime, Musab Mala me 25 pikë dhe Fisnik Rugova me 20 pikë.

Ndërkohë, në radhët e Tiranës spikatën Endrit Hysenagolli me 25 pikë dhe 17 kërcime, i cili vijon të tregojë një formë shumë të mirë. Spikati gjithashtu edhe Julian Hamati, autor i 17 pikëve dhe 7 kërcimeve.

RAH

KAMZA-PRIZRENI – Prizreni mori një sukses pa shumë vuajtje në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, teksa mposhti Kamzën në shifrat 86-95, duke kompletuar kështu “pokerin” e fitoreve të skuadrave nga Kosova në këtë javë.

Miqtë e hipotekuan triumfin që në pjesën e parë, ndërsa në gjysmën e dytë të takimit, me gjithë përpjekjet, Kamza nuk mundi ta realizonte përmbysjen.

kamza

Skuadra e Eni Llazanit vijon të vuajë mungesën e pikëve nga stolit, teksa në këtë takim lojtarët e pankinës nuk realizuan qoftë edhe një kosh të vetëm. Në minutat e para Kamza u paraqit mirë, teksa preku edhe një avantazh +6 pikë, por më tej Prizreni nisi dominimin në parket duke e fituar periodën e parë 17-26.

Në periodën e dytë superioriteti i miqve ishte edhe më i madh, të cilët fituan thellë 7-22, duke shkuar në pushim me avantazhin 24-48.

Në gjysmën e dytë të ndeshjes Kamza provoi të bënte kthesën, megjithatë edhe pse i fitoi dy periodat e mbetura 33-23 dhe 29-24, suksesi në shifra të përgjithshme shkoi për Prizrenin.

KAM

Për skuadrën kosovare lojtarët më vendimtarë ishin Hajdari me 24 pikë, Fells me 20 pikë dhe 13 kërcime, Koljeviç me 21 pikë dhe 9 asiste, si dhe Xenelaj me 13 pikë dhe 15 kërcime. Për Kamzën shkëlqeu Davis me 35 pikë dhe 9 asiste, ndërsa dopieta dyshifrore regjistruan Williams me 18 pikë dhe 10 kërcime si dhe Eldridge me 15 pikë dhe 10 kërcime.

renditja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"