LIGA UNIKE/ Partizani super, feston edhe në Prishtinë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 13:55

LIGA UNIKE/ Partizani super, feston edhe në Prishtinë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Liga Unike e basketbollit të femrave ka çelur dje javën e tretë të sezonit të rregullt me dy ndeshje e para.

LIGA UNIKE

Partizani vazhdon ecurinë e shkëlqyer në këtë kompeticion, teksa ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në eventin mbarëkombëtar.

Të kuqet mundën në transfertë Prishtinën me rezultatin 60-62, pas një sfide spektakolare të vendosur vetëm në sekondën e fundit në favor të Partizanit.

Ndonëse e panë veten deri në 19 pikë disavantazh, vajzat e trajneres Eliverta Bujari bënë një pjesë të dytë fantastike, duke e kurorëzuan ndeshjen me një kthim të jashtëzakonshëm rezultati.

Perioda e parë nisi më mirë për Prishtinën, teksa skuadra kosovare e kishte lojën nën kontroll për të fituar 21-12.

Edhe çereku i dytë foli për vendëset, të cilat u shkëputën deri në +19 pikë, ndërsa më pas e fituan periodën 21- 16, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 42-28. Por në pjesën e dytë loja e vendëseve zbehet, ndërsa Partizani nis ofensivën për rikuperimin e pikëve.

Të kuqet e fitojnë periodën e tretë 6-16 dhe ngushtojnë në 48-44 pas 30 minutash lojë. Partizani mban ritëm të lartë edhe në periodën e katërt, ndërsa ndeshja merr rrjedhë dramatike, me rezultatin që shënon 60- 60 kur kanë mbetur edhe 20 sekonda lojë.

Me dy goditje të sakta të lira në sekondën e fundit, amerikania Bannister i dhuron suksesin 60-62 Partizanit. Kjo ishte fitorja e tretë në po kaq ndeshje të zhvilluara, që i ngjit të kuqet momentalisht të vetme në vendin e parë të Ligës Unike.

Ornela Lalaj me 14 pikë e 15 ribaunde, Hanna Brych me 16 pikë e 10 ribaunde si dhe Antoinette Bannister me 15 pikë, udhëhoqën Partizanin në këtë triumf.

Në ndeshjen tjetër, Penza mundi Bashkimin me rezultatin minimal 77-76 (16-23, 14-13, 17-21, 30- 19). Pejanët e bënë diferencën në periodën e fundit, duke i përmbysur shifrat.

Java e tretë do të mbyllet nesër me ndeshjen Tirana-Flamurtari, sfidë që do të zhvillohet në orën 19:00 në sallën “Farie Hoti”.

SK 3 (1)

SK 4 (1)

SK 5 (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"