Liga Unike është historike, por sa shumë pikëpyetje mbi klubet e Shqipërisë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2020 | 20:43

Liga Unike është historike, por sa shumë pikëpyetje mbi klubet e Shqipërisë…

Basketbolli shqiptar nënshkroi pasditen e 10 shtatorit një marrëveshje historike, duke i dhënë jetë Ligës Unike, një kompeticion i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një ditë e shënuar kjo për sportin e koshit, që tashmë ka përpara një sfidë të madhe por aspak të lehtë.

Basket-Goga-e1591258152923

Gjithçka ka ndodhur në një periudhë mjaft të vështirë, të rënduar edhe më shumë prej pandemisë. Por le të shikojmë se si do të vijnë klubet e Shqipërisë në këtë kompeticion. Siç dihet, Superliga dhe Kategoria e Parë, duke nisur nga ky edicion do të jenë të grupuara në një kampionat.

Megjithatë, le të fokusoheni te skuadrat që në edicionin e kaluar ishin pjesë e elitës. Në Ligën Unike është njoftuar se do të marrin pjesë 4 ekipet më të mira, të cilat nëse i referohemi renditjes janë Teuta, Goga Basket, Vllaznia dhe Partizani. Por siç dihet, sezoni i kaluar u ndërpre për shkak të pandemisë dhe u shpall nul. Kjo gjë pritet të hapë shumë debate, pasi matematikisht edhe Tirana i kishte të gjitha mundësitë të shpallej kampione. Teuta dhe Goga Basket janë ekipet që kanë investuar më shumë gjatë viteve të fundit, të cilave një sezon më parë u është bashkuar edhe Vllaznia.

Ndërkohë që Partizani nga ana tjetër ka punuar më tepër me elementë vendës, duke ndërtuar gjithashtu një ekip konkurrues. Por nëse e marrim të mirëqenë pjesëmarrjen e Gogës dhe Vllaznisë në Ligën Unike, këtë nuk mund ta themi për Teutën dhe Partizanin, klube të cilat nuk kishin asnjë përfaqësues në ceremoninë e marrëveshjes (për gazetën deklaruan se nuk kishin marrë ftesa). Durrsakët dhe kryeqytetasit kanë qenë të parat skuadra, të cilat kanë ngritur dyshime që në fillim rreth këtij aktiviteti, duke u shprehur shpeshherë publikisht.

Bregdetarët dhe “demat” e kanë quajtur këtë nismë si një shou të federatës në prag të zgjedhjeve. Madje e kanë konsideruar edhe të jashtëligjshme, duke qenë se të dyja federatat janë me mandate të përfunduara dhe nuk mund të marrin kurrsesi të tilla vendime madhore. Kështu që nuk është aspak çudi që këto ekipe ta refuzojnë pjesëmarrjen në Ligën Unike (nuk ka asnjë konfirmim aktualisht për pjesëmarrjen në këtë aktivitet).

Ndërkohë, le t’i hedhim një sy edhe dy skuadrave të tjera të Superligës, Tiranës dhe Eagles, për një peshkim të mundshëm të tyre në ligë. Bardheblutë janë ndër ekipet me më shumë traditë të basketbollit shqiptar. Kjo skuadër ka dominuar dekadat e fundit në parket, por tashmë futet në vitin e tretë të një krize të thellë financiare. Një ekip që është mbajtur gjallë vetëm falë djersës dhe sakrificës së lojtarëve ‘veteranë’, të cilët kanë luajtur pa pagesë, duke shpëtuar një Tiranë që po shkonte drejt shkrirjes.

teuta-goga-basket-132fbeb4002bfb684203e16d324e_1920x1080

Nga ana tjetër, Eagles janë një skuadër me buxhet modest, e ngjitur vetëm një sezon më parë në elitë. Aktualisht duket utopi një pjesëmarrje e tyre në Ligën Unike, nëse i referohemi anës ekonomike. Akoma më e vështirë është të mendosh që do të marrë pjesë ndonjë nga ekipet që vijnë nga Kategoria e Parë.

Pra situata financiare e klubeve është alarmante, aq sa për to është në pikëpyetje edhe regjistrimi në kampionatin kombëtar (një pjesë e skuadrave pritet që t’i dërgojnë kërkesë FSHB që këtë vit të mos e paguajnë tarifën e regjistrimit, por t’u njihet tarifa e vjetshme, duke qenë se sezoni u anulua). Në kampin e Kosovës, ekipet janë më të konsoliduara në të gjitha aspektet, duke nisur që nga financiare deri tek infrastruktura. Por sa do t’u vlejë skuadrave kosovare pjesëmarrja në një kampionat, ku përballë do të kenë ekipet tona me një mijë e një halle.

Në Kosovë shteti i bën një mbështetje shumë herë më të fuqishme sportit, ndërsa vetë ministrja Vlora Dumoshi premtoi tjetër përkrahje financiare për basketbollin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, pa harruar ligjin e sponsorizimit, të cilin “Dardanët” tashmë e kanë kopsitur, duke i dhënë një shtysë të jashtëzakonshme sportit.

Ndërsa si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja Shahini nuk përmendën asnjë plan konkret për të ndihmuar basketbollin, në fjalimet që mbajtën gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për Ligën Unike. Rrëzimi i kufijve në sport është diçka që e duan pa diskutim të gjithë, por fillimisht mos do të ishte më mirë që Shqipëria t’i afrohej standardit të Kosovës, që çdo ditë bën hapa para, në një kohë kur sporti në vendin tonë është në ditët e tij më të zeza.

A.LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"