Liga Unike e femrave, dominim total i kosovareve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 19:13

Liga Unike e femrave, dominim total i kosovareve

Me dy ndeshje të zhvilluara dje ka ngritur siparin edicioni i parë në histori i Ligës Unike për femra, kompeticion i përbashkët i basketbollit me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova. Në sfidat hapëse ra në sy superioriteti i skuadrave kosovare, teksa Prishtina dhe Bashkimi fituan me rezultate të thella ndaj Tiranës dhe Partizanit.

liga unike

TIRANA-PRISHTINA – Sfida hapëse e Ligës Unike 2021-2022 u zhvillua në “Asllan Rusi”, ku përballë njëra-tjetrës ishin dy ekipet kryeqytetase. Prishtina nuk e kishte të vështirë të siguronte fitoren, teksa e shkatërroi në transfertë Tiranën me rezultatin 97-57. Dardanet e kryesuan takimin që nga fillimi e deri në fund, duke treguar një nivel loje më të lartë. Prishtina e nisi furishëm, duke fituar 20-30 në periodën e parë.

Në periodën e dytë diferencat ishin edhe më të mëdha, me vajzat bardheblu që e kishin të pamundur të mbanin ritmin e kundërshtareve. Prishtina triumfoi 8-21, duke shkuar në pushim me epërsinë 28-51. Miket nuk e ulën ritmin as në fraksionin e dytë të lojës, duke fituar 16-24 në periodën e tretë dhe 13-22 në 10- minutëshin e fundit.

Te Prishtina spikatën Mgbeike me 21 pikë e 20 kërcime. Për Tiranën, lojtarja më e mirë ishte Mirela Lugaj, autore e 20 pikëve.

BASHKIMI-PARTIZANI – I njëjti skenar i ndeshjes së parë u pa edhe në takimin e mbrëmjes në Prizren, me Bashkimin që mposhti Partizanin 94-53. Vendëset ishin në kryesim gjatë të gjithë kohës, duke e rritur gradualisht avantazhin, ndërsa Partizani, që në këtë takim nuk kishte në dispozicion kapitenen Ornela Lalaj (e dëmtuar) u shfaq i pafuqishëm. Bashkimi shpërtheu që në periodën e parë, të cilën e fitoi 28-16.

Në 10-minutëshin e dytë triumfoi 22-13, për të kryesuar 50-29 pas gjysmës së takimit. Dardanet vijuan me të njëjtin intensitet edhe pas pushimit, duke i fituar dy periodat e radhës 26-13 dhe 18-11, për ta mbyllur me +41 pikë të gjithë ndeshjen. Te Bashkimi shkëlqyen Ellis me 21 pikë, 5 kërcime dhe 7 asistime.

Në radhët e Partizanit, lojtarja më rezultative ishte Aida Palko me 23 pikë e 8 kërcime.

Me ndeshjen e sotme Flamurtari-Penza (17:00) do të mbyllet java e parë.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"