LIGA UNIKE/ Durrsakët mundin Tiranën edhe në kthim, Teuta dhe Prizreni kualifikohen në fazën “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2022 | 16:39

LIGA UNIKE/ Durrsakët mundin Tiranën edhe në kthim, Teuta dhe Prizreni kualifikohen në fazën “Final 4”

Liga Unike e basket bollit për meshkuj ka mësuar mbrëmjen e djeshme dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste. Teuta dhe Prizreni kanë kaluar me sukses “play off”-in, duke iu bashkuar Yllit dhe Pejës në “Final 4”.

LIGA UNIKE

TIRANA-TEUTA – Pasi kishin fituar takimin e parë në shtëpi, durrsakët e kompletuan punën dje në kryeqytet, teksa dolën me triumf edhe nga salla “Farie Hoti”. Teuta regjistroi një sukses në shifrat 73-78 (12-23, 15-17, 19-18, 27-20), duke prerë biletën për në fazën finale të kompeticionit mbarëkombëtar.

Me pesë lojtarë të huaj në përbërje dhe me më shumë zgjedhje në pankinë, bregdetarët nuk e patën shumë të vështirë për ta siguruar kualifikimin. Ndërsa Tirana duket se vuan pasojat e largimeve të papritura të dy amerikanëve, kryesisht të Clark, i cili kishte treguar një nivel shumë të mirë.

Madje, trajneri Erkand Karaj nuk pati në dispozicion as shërbimet e Julian Hamatit, duke u paraqitur në këtë takim të rëndësishëm me një formacion shumë të cunguar.

Për sa i përket ndeshjes, Teuta ishte superiore në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me +13 pikë, për ta rritur epërsinë deri në +18 pikë në periodën e tretë. Më pas bardheblutë provuan të reagonin, duke ngushtuar deri në 5 pikë në fund.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, i gjithë formacioni i miqve preku dopioshifër pikësh, ku mbi të tjerët spikatën Core dhe Peterson me nga 19 secili. Te Tirana shënuesi më i mirë ishte Hysa, autor i 19 pikëve, ndërsa Hysenagolli vazhdon të regjistrojë statistika të rëndësishme.

Gjiganti i bardhebluve është “i abonuar” me dopietat dyshifrore dhe këtë herë koleksionoi 16 pikë dhe 11 kërcime. Në gjysmëfinale Teuta do të ketë përballë kampionët në fuqi, Golden Eagle Yllin.

ASAS

PRIZRENI-RAHOVECI – Në derbin mes skuadrave kosovare, ishte Rahoveci që doli fitimtar, teksa mposhti në transfertë Prizrenin me rezultatin minimal 86-87 (27-26, 22- 15, 13-21, 24-25). Por kualifikimi shkoi për Prizrenin që kishte triumfuar në ndeshjen e parë me +5 pikë epërsi (93- 98).

Ndeshja e djeshme ishte e luftuar deri në sekondat e fundit, por vendësit arritën që ta menaxhonin avantazhin e sfidës së parë dhe tashmë do të gjejnë në gjysmëfinale Pejën.

Te Prizreni shkëlqyen Mccoy me 21 pikë, Cannefax me 21 e 10 asistime dhe Hajdari me 24 pikë. Te Rahoveci më të mirët ishin Rugova me 24 pikë dhe Dunans me 19 pikë, 9 kërcime dhe 7 asistime. Për sa i përket fazës “Final 4”, ajo do të mbahet në datat 21-22 prill, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar vendi organizator.

SA

SS

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"