Liga e Tretë e Europës, Shqipëria merr 2 medalje ari dhe 1 argjendi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2021 | 0:48

Liga e Tretë e Europës, Shqipëria merr 2 medalje ari dhe 1 argjendi

Kombëtarja shqiptare e atletikës e ka mbyllur me dy medalje ari dhe një argjendi konkurrimin e saj në Ligën e Tretë të Europës, që u zhvillua për dy ditë me radhë më datat 19-20 qershor në Limasol të Qipros, duke u klasifikuar në vend të 13-të, nga 16 shtete pjesëmarrëse. Luiza Gega dhe Franko Burraj ishin kuqezinjtë e artë të këtij kompeticioni, ndërsa Izmir Smajlaj fitoi medalje argjendi.

bURRAJ

Për Luiza Gegën, fitorja në garën e 3000 merave me pengesa ishte një formalitet. Gega e dominoi totalisht garën dhe fitoi me një shkëputje shumë të madhe nga kundërshtaret. 32-vjeçarja fiksoi kohën 9:39:56, me një diferencë prej gati një minutë e gjysmë nga ndjekësja më e afërt.

Gega prej vitesh është kthyer në një garanci medaljesh për Shqipërinë, ndërsa tashmë atletja do të fokusohet totalisht te përgatitjet për Lojërat Olimpike të Tokios, aty ku shkon si e kualifikuar me normë. Në shkallën më të lartë të podiumit në Qipro u ngjit edhe Franko Burraj.

Atleti i Vllaznisë bëri një paraqitje të shkëlqyer në garën e 400 metrave, duke regjistruar kohën 46:80. Ky rezultat është më i miri i sezonit për Burrajn, që e konfirmon atë si atlet elitarë. Izmir Smajlaj kthehet me medalje të argjendtë nga Limasoli.

Me rezultatin 7.70 metra, shkodrani u klasifikua në vend të dytë në garën e kërcimit për së gjati. Kujtojmë që rreth një muaj më parë Smajlaj vendosi rekord të ri kombëtar me kërcimin 8.16 metra që realizoi në Tiranë, por gara e kërcimit për së gjati, siç dihet, vendoset nga detaje të vogla. Ndërkohë, për sa u përket atletëve të tjerë të Shqipërisë, ata nuk mundën që të futen në zonën e medaljeve.

Në Ligën e Tretë të Europës morën pjesë 16 shtete. Në rang ekipor kampione e kësaj lige u shpall Serbia me 555 pikë. Qiproja vendëse u klasifikua e dyta me 523 pikë, ndërsa podiumi u plotësua nga Moldavia, e cila grumbulloi 467 pikë. Me 158 pikë gjithsej, Shqipëria u rendit në vend të 13-të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"