Liga e Konferencës, fituesi i Kupës së Shqipërisë e nis nga turi i dytë/ Ja sa mijë euro janë të garantuara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 21:00

Liga e Konferencës, fituesi i Kupës së Shqipërisë e nis nga turi i dytë/ Ja sa mijë euro janë të garantuara

Sezoni futbollistik 2021-2022 në Shqipëri mbyllet me finalen e Kupës, që më 31 maj do të diskutohet mes Laçit dhe Vllaznisë. Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në futbollin europian kanë shërbyer si një asist për fituesen e Kupës së Shqipërisë, pasi këtë fit ekipi triumfues aventurën europiane e nis nga turi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës.

GUINDO LACI VLLAZNIA

Në dallim nga një vit më parë, ku tri skuadrat e Superiores, Laçi, Partizani dhe Vllaznia e nisën aventurën europiane nga raundi i parë, këtë vit i bie që vetëm dy ta nisin si vjet, ndërsa fituesja e Kupës përfaqësohet në turin e dytë. Ky ndryshim ka ndodhur për shkak të përjashtimit të skuadrave ruse nga kompeticionet europiane, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Gjithashtu, edhe disa skuadra të tjera që duhet që mund të përfundonin në Ligën e Konferencës, falë rezultateve të marra së fundmi në Europë kanë bërë që të lënë vende bosh, gjë e cila favorizon fituesin e Kupës së Shqipërisë për të startuar nga turi i dytë i Ligës së Konferencës.

Eintrahti i Frankfurtit me fitimin e Ligës së Europës ka siguruar pjesëmarrjen në grupet e Champions-it duke mos u përfshirë në veprimtarinë e tretë europiane. Gjithashtu bonus për fituesin e Kupës së Shqipërisë ishin edhe arritjet e fundit të Lajpcigut në Gjermani, Uest Hemit në Angli, si dhe të skocezëve të Gllasgou Reinxhers.

Në këto kushte fituesi i Kupës së Shqipërisë i ka të garantuara 450 mijë euro nga pjesëmarrja në turin e dytë të Ligës së Konferencës, edhe sikur të eliminohet. Ndërsa një ekip shqiptar që e nis nga turi i parë, por që eliminohet në të dytin ka të garantuar 550 mijë euro, 100 mijë më shumë, që është shuma e bonusit të pjesëmarrjes në turin e parë.

Pa dyshim finalja ka më shumë rëndësi për Vllazninë, pasi Laçi e ka siguruar Ligën e Konferencës edhe nga kampionati si nënkampion. Laçi i bie të jetë më i favorizuar për në turin e dytë, pasi e ka 6 koeficientin e përfaqësimit në Europë, ndërsa Vllaznia e ka 1.6.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"