LIGA BALLKANIKE/ Vllaznia “tradhton” që në start përballë malazezëve, tension brenda skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 10:45

LIGA BALLKANIKE/ Vllaznia “tradhton” që në start përballë malazezëve, tension brenda skuadrës

Sekondat e fundit i dhuruan fitoren në kampionat, por nuk ndodhi kështu në ndeshjen e parë të Ligës Ballkanike për Vllazninë, e cila në fund iu desh të dorëzohej përballë kundërshtarëve të Ibar Rozajes me rezultatin 65-64.

vllaznia basket

Ndonëse pallati i sportit, “Qazim Dervishi”, ishte i mbushur thuajse në kapacitetin maksimal, duke krijuar edhe një atmosferë mjaft të nxehtë, fatkeqësisht kjo nuk ndihmoi aspak që shkodranët të dilnin të fituar nga parketi, ndërsa festa ishte e gjitha për miqtë nga Mali i Zi. Ibar Rozaje e tregon që në momentet e para se kishte ardhur në Shkodër shumë e karikuar, madje duke mos iu trembur as pesëshes së Vllaznisë, të përbërë nga katër amerikanet dhe kapiteni Shestani.

Kuqeblutë nuk gjejnë ritmin e tyre, nuk kanë atë shkëndijën për të frikësuar kundërshtarin, ndërsa Ibar Rozaje është më e saktë, është e kujdesshme dhe arrin që ta mbyllë periodën e parë me rezultatin 13-11, në favor të tyre. Në 10-minutëshin e dytë, kur të gjithë prisnin një rikthim të Vllaznisë, shkodranët sërish nuk bindin në lojën e tyre. Sulmi është i ngadaltë dhe malazezët e kanë shumë të thjeshtë të bllokojnë shpejt aksionet e shqiptarëve.

Loja nën kosh çalon për kuqeblutë ndaj  edhe perioda e dytë mbyllet sërish me fitoren e malazezëve, këtë radhë në shifrat 22-17 dhe gjysma e parë e lojës përfundon me rezultatin e përgjithshëm 28- 35. Në periodën e tretë te Vllaznia nuk ka shumë qetësi. Në disa ndërrime lojtarët shihen të acaruar me trajnerin Gospodinov, i cili pas ndeshjes nuk e quajti normale këtë dhe tha se do e diskutojë me drejtuesit për ta zgjidhur.

Por ky tension duket se i bën mirë, pasi Ibar edhe pse e fiton edhe 10- minutëshin e tretë 21-19, 7 pikët disavantazh me të cilin nis perioda e fundit nuk duken të parikuperueshme. Madje, papritur Vllaznia vendos të tregojë muskujt, dominon në parket dhe arrin që të ngushtojë në vetëm një pikë rezultatin, në sekondat e fundit.

Capture

Të gjitha shpresat e fitores shpërdorohen nga Perine, i cili tregon mendjemadhësi duke kërkuar një goditje për tri pikë, ndërsa do të mjaftonin dy të tilla dhe gjuajtja e tij përfundon jashtë unazës së koshit, duke lënë të pandryshuara shifrat në 65- 64, një humbje që la shumë të dëshpëruar mbi të gjitha tifozët, të cilët e fituan gjithsesi ndeshjen e tyre në shkallën e pallatit të sportit.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"