Lici pranon problemet te Vllaznia: Jemi dy javë me vonesë, do e paguajmë për këtë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2018 | 18:11

Lici pranon problemet te Vllaznia: Jemi dy javë me vonesë, do e paguajmë për këtë!

Vllaznia ende nuk ka nisur nga puna. Edhe pse pas një muaji do të nisë kampionati, shkodranët janë shumë vonë me nisjen e përgatitjeve për sezonin e ardhshëm. Nuk dihet se kush do të jetë trajneri e për më tepër se kush do të jenë lojtarët. Ndërkohë, skuadrat e tjera të Kategorisë së Parë kanë rreth dy javë që kanë nisur nga puna. Por, çfarë është më e keqja, as drejtuesi më i lartë i klubit nuk di të thotë një datë konkrete se kur do të nisë puna. “E dimë se kemi probleme dhe jemi vonë në aspektin sportiv.

lici

Dy javë me vonesë, por shpresoj t’i rikuperojmë. Një kosto që e kemi marrë përsipër për të bërë zgjedhjet e duhura. Nuk do të vonohemi shumë, pasi do të zyrtarizojmë emrat e drejtuesve shpejt, pasi nuk ka më shumë kohë”, u shpreh administratori, Suad Lici. Në fakt, Vllaznia është tmerrësisht shumë vonë. Skuadra kuqeblu nuk po arrin të stabilizohet dhe të dalë me deklarata zyrtare në lidhje me vendosjen e emrave të rinj, drejtorit sportiv dhe trajnerit të ardhshëm. Grupi i lojtarëve ende nuk dihet, ndërsa këta të fundit kanë kryqëzuar gishtat se skuadra do të nisë nga puna javën tjetër, pasi dhe kjo javë shkoi si e gjithë vera, pa asnjë lëvizje dhe pa asnjë ditë seancë stërvitore.

TRAJNERI – Një shqetësim për momentin është caktimi i drejtorit sportiv e trajnerit të skuadrës. Emrat janë në tavolinën e kryebashkiakes Voltana Ademi. Një proces që mësohet se është drejt fundit kur edhe seleksionimet e para janë bërë. Nga sa mësohet, janë tre emra për drejtor sportiv dhe 5 për trajnerë. Të gjithë emra të njohur që kanë kontribuar për Vllazninë, ndërsa vetëm njëri prej tyre nuk ka kontribuar për këtë klub. Ai është Ergin Firat. Ky është emri, i cili konkurron për të dyja pozicionet deri në përzgjedhjen përfundimtare. Nga sa mësohet, kandidaturat për drejtor sportiv si më të mundshme janë ato të Alban Hasanit e Agim Canajt.

Ndërsa për trajner ato të Edi Martinit e Hasan Likës. Deri tani, më të avantazhuar për të marrë drejtimin e drejtorit sportiv duket Alban Hasani, ndërsa duket se pikëpyetja vijon të jetë e madhe mes Martinit e Likës për postin e trajnerit. Gjithsesi, në momentet e fundit mund të ketë edhe surpriza. Por, ajo që ende nuk dihet është fakti se kur do të zgjidhen këto emra. Kalimi i ditëve është vetëm në dëm të Vllaznisë dhe kjo do të vështirësoj edhe më shumë punën e trajnerit dhe stafit teknik për të ndërtuar atë skuadër që të gjithë dëshirojnë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"