Lici mohon “ryshfetet” në kombëtare: Cungu e ka personale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2016 | 16:34

Lici mohon “ryshfetet” në kombëtare: Cungu e ka personale

Ditët e fundit, ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi dhe ish-lojtari shkodran, Armando Cungu, janë përfshirë në një debat publik, ku Cungu ka akuzuar se i janë kërkuar para për të luajtur me Kombëtaren. Ndër të tjera, ai ka thënë: “Mund të pyesni edhe lojtarët e tjerë”.

suad lici

Në një kohë që Hafizi ka përmendur në reagimin e tij edhe lojtarët e tjerë shkodranë si Armir Grima, Suad Lici apo Uliks Kotrri, të cilët kanë qenë pjesë e përfaqësueses që të pyeten në lidhje me këtë çështje. Në këtë mënyrë, gazeta kontaktoi dje me të tre këta ish-futbollistë. Kotrri ka qenë i padisponueshëm pasi ndodhet jashtë Shqipërisë, Grima nuk iu është përgjigjur thirrjeve të gazetës, në një kohë që Lici është shprehur i gatshëm të prononcohet.

Në intervistën e tij, ai mohon plotësisht që t’i jenë kërkuar para dhe e konsideron këtë përplasje si çështje personale mes Hafizit dhe Cungut. Megjithatë, Lici e konsideron si të pakuptimtë këtë deklaratë të Cungut duke e përkufizuar se ai “lufton me mullinjtë e erës”.

Astrit Hafizi dhe Armando Cungu janë përfshirë në një debat publik mes tyre në lidhje me kohën kur ishin të dy pjesë e Kombëtares. Cungu ka akuzuar se i kanë kërkuar para, në një kohë që ka deklaruar që të pyeten edhe lojtarë të tjerë. Ju jeni një prej atyre që keni qenë pjesë e Kombëtares në atë kohë. Keni ndonjë koment në lidhje me këtë debat?

Nuk mund të hyj në gjërat personale që kanë ata me njëri-tjetrin. E kanë personale mes tyre. Unë jam grumbulluar me Kombëtaren, kam dhënë maksimumin kur kam luajtur dhe jam kthyer në shtëpinë time, kaq.

Nuk ju janë kërkuar asnjëherë para për të qenë pjesë e Kombëtares, ashtu siç ka akuzuar Cungu?

Çfarë pagese mor burrë?! Këto më duken absurditete. Nuk është e vërtetë që të kenë kërkuar para.

Po pse mendon se e ka bërë këtë akuzë Cungu, aq më tepër pas kaq shumë vitesh?

Ata e kanë personale mes njëri-tjetrit. Mendoj se Armando i ka hyrë një debati të kotë. Ka dy javë që nuk është mirë. Unë e kam shumë mik dhe si vëlla. Një herë merret me Bashkinë, një herë me njerëzit me kollare dhe një herë me Hafizin. Atij i duket sikur ka të gjithë Shqipërinë kundër. Kjo i ndodh ngaqë është shumë i drejtë, por kërkon të bëjë luftë me “mullinjtë e erës”.

Po Cungu ka thënë edhe që ka dëshmitarë?

Po le t’i përdorë. Unë personalisht e shoh si një luftë dhe nuk e kuptoj Armandon. Ndoshta ka ndonjë problem familjar apo me veten e tij, nuk di çfarë të them. Duhet ta ketë një hall. E nisi me Bashkinë kur përfundoi kampionati, pastaj me njerëzit me kollare, Starovën e sulmoi gjithashtu. Më duket shumë i tensionuar. Ndoshta ka presion në pozicionin që mban. Këto janë hamendësime, pasi nuk di si ta shpjegoj. Ndoshta, ne që jemi të distancuar nga futbolli aktiv, jemi më të qetë dhe të relaksuar.

Thuajse gjithmonë është përfolur nëpër tavolina apo nën zë se pas viteve ’90- të ka pasur raste kur kërkoheshin para për të qenë pjesë e Kombëtares. Ka ndonjë të vërtetë këtu apo…

Unë kam luajtur për shumë vite në kampionatin shqiptar dhe kam qenë edhe pjesë e Kombëtares. Kam luajtur kur ka qenë Hafizi trajner, por asnjëherë nuk ka ndodhur që të kërkoheshin para. Ne ishim me kontrata të vogla në atë kohë dhe nuk kishte as menaxher. Me sa di unë, nuk ka pasur raste të tilla në kohën time. Kanë thënë edhe që kemi shitur ndeshje. Por se çfarë kanë bërë presidentët, unë nuk e di. Unë kam dhënë gjithçka për ekipin sa herë më është dhënë mundësia që të luaj. Ne hyjmë në futboll për të fituar para dhe jo për të dhënë. Unë kam qenë ai që kam shkuar deri në Gjirokastër për të luajtur futboll dhe për të fituar para. As nuk e shkoj nëpër mend se mund të jepja para që të luaja.

Besar Bozgo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"