Liçi dhe Pollozhani: Bojkoti të pasohet me fitore, e zgjidhëm me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 10:36

Liçi dhe Pollozhani: Bojkoti të pasohet me fitore, e zgjidhëm me…

Bojkoti për shkak të pagave të pamarra është lënë pas tashmë dhe korçarët janë të fokusuar për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Vllaznisë. Në takimin kundër shkodranëve, bardhekuqtë do të kërkojnë të marrin maksimumin për të lënë pas problemet e fillimjavës dhe për t’iu kthyer rezultateve pozitive. I këtij mendimi është zëvendëstrajneri Gentian Liçi, i cili thotë se kjo situatë do të kthehet në forcë për ekipin.Lici-470x264

Liçi, pas kësaj situate çfarë ndodh te Skënderbeu?

Në fakt, kjo situatë nuk ishte aspak normale, pasi nuk është e lehtë që një ekip të bojkotojë stërvitjen. Por është diçka që është zgjidhur shpejt, pasi, si presidenti ashtu edhe pjesa tjetër, janë ulur për të hedhur gjithçka pas krahëve.

A do të lërë gjurmë për këtë javë?

Jo, nuk mendoj se do të lërë. Të gjitha u zgjidhën dhe në ndeshjen me Vllazninë, lojtarët do të japin 100%. Në fakt, ne shkojmë kudo për fitore dhe të arrijmë pozicionet e larta. E kemi të qartë që kërkohet maksimumi dhe vazhdimësia.

Vllaznia, një kundërshtar i vështirë?

Pavarësisht renditjes dhe si po zhvillohet kampionati, nuk ka ndeshje të lehtë. Vllaznia është një ekip që ka cilësi dhe përgatitet mirë, sidomos në ndeshjet jashtë.

Si vjen Skënderbeu në këtë takim?

Kemi mungesën e Ditës dhe jemi munduar ta zëvendësojmë sa më mirë. Kemi dilema për këtë pozicion, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën me cilindo lojtar që do të zbresin në fushën e lojës.artim pollozhani skenderbeu

MBROJTËSI

Për Artim Pollozhanin, problemi i financave që shkaktoi bojkotin ishte një moskoordinim mes palëve dhe tashmë gjithçka është lënë mënjanë, ndërsa ekipi është përqendruar te ndeshja e sotme kundër Vllaznisë, atje ku kërkon maksimumin.

Pollozhani, si lojtari më me eksperiencë, a ishte e udhës që të veprohej kështu nga ekipi?

Unë mund të them se ishte një moskoordinim mes lojtarëve dhe klubit, por besoj se është diçka që u zgjidh shumë shpejt dhe tashmë çdo është e mbyllur. Nuk ishte ndonjë problem i madh dhe e kemi lënë pas.

Pra, po thoni se ishte një gabim i lojtarëve?

Po them që ishte mungesë koordinimi dhe informimi karshi klubit. Mendoj se tashmë është e kotë të flasim, pasi ne jemi gati për të vijuar normalisht. Ekipi ka punuar jashtëzakonisht. Një ditë mungesë nuk është hata e madhe.

Pas humbjes së fundit, a është detyrim fitorja në këtë ndeshje?

Humbëm një ndeshje, e cila nga mënyra e lojës nuk duhej të kishte përfunduar pa pikë. Kemi marrë një gol në fund dhe kjo na ka dëmtuar. Tani duhet të jemi të përqendruar dhe të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Kampionati është i vështirë në këto kohë dhe nuk ka ekip të lehtë, por besoj se ne mund t’ia dalim.

Skënderbeu pa probleme financiare tashmë ia del përballë Vllaznisë?

Është e kotë të vazhdojmë në këtë pikë, ne e kemi zgjidhur gjithçka dhe do të jemi më të qetë dhe më të përqendruar. Ndeshja nuk ka të bëjë me këtë. Ai problem është zgjidhur dhe ne do të hyjmë për ta fituar këtë takim.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"