Liçaj: Luajmë me Tiranën, kënaqemi edhe me barazimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 15:51

Liçaj: Luajmë me Tiranën, kënaqemi edhe me barazimin

Luftëtari do të synojë sot me çdo kusht përballë Tiranës rezultatin pozitiv. Në të kundërt pozita e tij në klasifikim do të komprometohej ndjeshëm. Për të ardhur në “duelin e nxehtë me” Tiranën, gjirokastritët kanë pasur në dispozicion gjithë kohën e duhur për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen e sotme.

licaj

Për “veteranin” e bluzinjve, Lejdi Liçaj, ka ardhur momenti i reflektimit pas tri rezultateve negative të këtij fillimsezoni. “Ndeshja me Tiranën nesër (sot) është mjaft delikate. Të dyja ekipet janë duke kaluar një periudhë të vështirë, pasi vuajnë mungesën e rezultateve. Jemi stërvitur mirë, me dëshirë dhe vullnet në ditët e ndërprerjes së kampionatit. Jemi totalisht të përqendruar për ta interpretuar sa më mirë ndeshjen. Me shpresën që dhe fati të jetë në anën tonë, do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin. Jemi të kënaqur edhe me një barazim, pasi luajmë me Tiranën, edhe ajo e etur për fitore”, tha fillimisht Liçaj.

luf

SITUATA – Luftëtari, pas tri ndeshjesh vuan “aromën” e pikës së vetme, që mungon. “As vetë ne futbollistët e Luftëtarit nuk e kishim menduar se pas tri javësh s’do të kishim qoftë dhe një pikë. Por, kur dhe Tirana e rikthyer me pretendime në Superligë ka ‘arkivuar’ një pikë, do të thotë se ky kampionat do të jetë më shumë se kompetitiv. Ndaj, sot me Tiranën të gjithë nga titullari e deri te lojtari i stolit, të tregohemi të vëmendshëm dhe gjakftohtë për të përballuar çdo moment loje. Mos të biem pre e provokimeve të lojtarëve kundërshtarë. Ata do të kërkojnë me çdo kusht fitoren, ashtu si dhe ne që do të kërkojmë të marrim ç’të mundim. Tirana luan në shtëpinë e saj dhe ka një ‘armë’ më shumë tifozët e saj, por dhe ne kemi simpatizantët tanë. Për këtë ndeshje kemi bërë gjithçka, ndaj dhe të gjithë besojmë se pas ndeshjes me Tiranën s’do të ketë shifër të bardhë në tabelë për Luftëtarin”, -përfundoi Liçaj.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"