Liçaj: Flamurtari kap Europën, trajneri Duro do ta ketë të vështirë të zgjedhë formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2017 | 21:36

Liçaj: Flamurtari kap Europën, trajneri Duro do ta ketë të vështirë të zgjedhë formacionin

Lejdi Liçaj ishte një nga vlonjatët e rikthyer te skuadra e Flamurtarit për sezonin e ri futbollistik. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet me superlativa për skuadrën që ka ndërtuar trajneri Duro dhe shpalos objektivin e sezonit të ri, që sipas tij do të jetë pjesëmarrja në Europë.

licaj1

Liçaj, sapo keni mbyllur fazën përgatitore. Keni një koment?

Faza përgatitore në Maqedoni ishte shumë e lodhshme dhe intensive. Kushtet që na krijuan ishin shumë të mira dhe fantastike dhe për këtë do të doja të falënderoja administratorin Idrizi. Mendoj se kemi bërë një fazë të vlefshme përgatitore, e cila ndikoi mjaft edhe në harmonizimin e lojtarëve.

Ka pasur shumë afrime lojtarësh të rinj. Mendoni se është arritur harmonia mes tyre në fushë?

Ekipi është i ri dhe jemi në një fazë kolaudimi. Vihet re harmonia e ekipit që është mjaft e mirë. Edhe pse kemi shumë pak kohë që njihemi, mund të them se duket sikur kemi vite bashkë. Djemtë që kanë ardhur te Flamurtari janë shumë të mirë dhe kjo gjë mua më jep shumë besim në realizimin e objektivave që kemi.

Mund të na thoni diçka për objektivat e sezonit të ri?

Objektivi kryesor për ne është arritja në Kupat e Europës. Mendoj se do ta arrijmë këtë gjë, për shkak se kemi një grup shumë cilësor që do bëjë diferencën në kampionatin shqiptar dhe që natyrisht Europa do të jetë diçka e realizueshme.

E shikoni këtë skuadër në garë për titullin kampion?

Ekipi është mjaft cilësor, por na duhet që ndeshjet t’i marrim me radhë dhe më pas llogaritë bëhen në fund.

Do të ketë konkurrencë për një vend në formacion?

Do të ketë shumë konkurrencë. Unë mendoj se gara brenda ekipit do të jetë shumë e fortë saqë trajneri Duro do ta ketë shumë të vështirë për të vendosur për formacionin. Por kjo konkurrencë do të ndihmojë në ngritjen e nivelit. Siç dihet, në futboll më mirë të kesh një grup të mirë sesa një individ cilësor.

U rikthyet te Flamurtari pas një sezoni të mirë me Luftëtarin. Ishte ky sezoni i duhur?

Po, mendoj që kam arritur pjekurinë e nevojshme. Po ashtu jam në një ekip shumë të mirë dhe me profesionistë që nga stafi drejtues, ai teknik dhe deri te lojtarët.

Çfarë duhet të presin tifozët nga Liçaj?

Atë që kam bërë gjithmonë në çdo skuadër dhe për më tepër për Flamurtarin tim edhe kur kam qenë më parë. Do të jap maksimumin tim për të arritur objektivat që kemi. Do të luaj me zemër për këtë fanellë të rëndë, ashtu si vlonjat i vërtetë.

Ndërkohë, tek ish-skuadra juaj, Luftëtari, trajneri Milinkoviç është larguar dhe ka nisur procesin gjyqësor…

Më vjen keq që janë në një situatë të tillë. Shpresoj që ta zgjidhin pa u dëmtuar asnjë nga palët.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"