Lëvizjet e shumta çdo sezon, Kukësit i kanë humbur “flamujt”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 22:43

Lëvizjet e shumta çdo sezon, Kukësit i kanë humbur “flamujt”

Në Kukës është folur shpesh për ndryshimet e shumta në çdo merkato dhe mungesën e lojtarëve që mund ta ndiejnë fanellën. Me fjalë më të thjeshta, një skuadër që më së shumti beson te “mercenarët” dhe që nuk kanë ndonjë lidhje të veçantë me klubin apo qytetin.

Kukesi

Në fakt, është shumë e vështirë që në Kukësin e sotëm të veçosh një futbollist si flamur të kësaj skuadre, siç kanë qenë Rrahman Hallaçi, Besar Musolli dhe zv.trajneri aktual, Ylli Shameti, si tre lojtarët me më shumë prezenca në kampin verilindor. Duket se këto ditë janë të largëta, kohë kur ekipi i Kukësit fitonte gjithçka në futbollin shqiptar, madje bënte edhe histori në Kupat e Europës.

KAPITENI – Sot, i vetmi që i afrohet paksa është kapiteni Gjelbrim Taipi, futbollisti me më shumë prezenca në ekipin aktual të Kukësit. Bëhet fjalë vetëm për 89 paraqitje, i cili këtë sezon ka mundësinë të shkojë te 100 prezencat me fanellën e Kukësit dhe t’i bashkohet në këtë mënyrë nëntë lojtarëve të tjerë që kanë mbi 100 paraqitje me këtë fanellë, duke përllogaritur vetëm periudhën kur Kukësi u bë pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Aktualisht ai është futbollisti i dhjetë në renditjen e Kukësit si lojtari që ka bërë më shumë ndeshje me këtë klub.

kukesi

Fakti që është edhe futbollisti me më shumë prezenca te blutë dhe një lojtar nga i cili pritet shumë, i është besuar prej dy sezonesh edhe shiriti i kapitenit. Megjithatë, vështirë se në ekipet e tjera të konsoliduara mund të gjesh lojtarë që luajnë aktualisht, që të paktën të mos kenë 100 prezenca me skuadrën e tyre, duke treguar se besojnë ende tek ata futbollistë që kanë një lidhje të veçantë me skuadrën. Në Kukës, duket se e kanë humbur këtë sens dhe për momentin vetëm kapiteni Taipi ka shansin që gjatë këtij sezoni të shkojë në kuotën e 100 ndeshjeve me Kukësin.

TË TJERËT – Sa i përket lojtarëve të tjerë që luajnë në ekipin verilindor aktualisht, pas kapitenit, i dyti në listë me më shumë prezenca vjen mbrojtësi Altin Bytyçi, me plot 64 të tilla. Lista vijon e gjatë edhe me lojtarë të tjerë, ndërsa vlen të theksohet se në 10 futbollistët me më shumë paraqitje në Kukësin aktual ka vend edhe për Klejdi Dacin, sulmuesin që është aktivizuar në 17 takime në total. Shifra këto që tregojnë edhe lëvizjet e shpeshta që bën Kukësi në çdo merkato, me shumë pak lojtarë që kanë shumë vite që luajnë bashkë. Edhe ata që kanë disa vite nuk u është dhënë shumë mundësia të japin kontributin e tyre.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"