Lëvizje tek Apolonia/ Afrikanët ngelin në klasë, ish-mesfushori i Flamurtarit pritet të firmosë sot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2019 | 12:56

Lëvizje tek Apolonia/ Afrikanët ngelin në klasë, ish-mesfushori i Flamurtarit pritet të firmosë sot

Vjen fitorja e parë në të katërtën miqësore që zhvillon Apolonia gjatë kësaj vere. Përtej rezultatit dhe faktit që është arritur në Ballsh ndaj Bylisit të Superligës, fierakët kanë dëshmuar rritje në lojë. Për trajnerin Artan Mërgjyshi dhe stafin e tij ka pasur rëndësi gjendja e përgjithshme e skuadrës, zbatimi i detyrave dhe sjellja në fushë, aq më tepër në ndeshje transferte dhe ndaj një ekipi të Superiores.

Apolonia2

Relativisht i kënaqur me lojën e Apolonisë është trajneri Mërgjyshi, i cili ka ende rezerva ndaj skuadrës. “Ishte një ndeshje që na ka shërbyer në të gjitha aspektet. Edhe rezultati pozitiv ka vlera, paçka se është një miqësore, rrit moralin e skuadrës. Jemi përmirësuar ndjeshëm, sidomos në aspektin fizik dhe ekipi po bëhet më funksional si grup.

Jam i kënaqur që shfaqëm atë lojë ndaj një kundërshtari që nuk ka ngarkesat tona, por prapë na mbetet shumë për të bërë. Nuk kemi pse i fshehim problemet tona. Bëjmë shumë gabime në pasime, shfaqim shpesh pasiguri në prapavijë dhe duhet të jemi më agresivë dhe më të saktë në finalizim. Jam i kënaqur me rritjen e ekipit, por e theksoj se jam i shqetësuar për prapavijën. Po testojmë në këtë repart, do të vijojmë edhe me të tjerë dhe do ta zgjidhim edhe këtë shqetësim, ndonëse koha reduktohet. Kampionati është i gjatë, ndaj na duhen alternativa në çdo repart, pasi mund të krijohen probleme.

Apolonia2

Për të qenë më konkret: në mbrojtje ka ardhur francezi Baraxhi, i cili do të vazhdojë të testohet dhe presim në fundjavë një lojtar ekuadorian, gati të konfirmuar për nga vlerat që ka. Nëse bëhen pjesë e organikës sonë, grupi është gati i kompletuar. Pse them ‘gati’? Sepse nuk përjashtohen surprizat deri në momentin e fundit të merkatos”, thotë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

MERKATO – Prapavija mbetet shqetësim imediat i Apolonisë. Tre afrikanët e testuar nuk kanë bindur, madje Ekeleme, mbrojtës i majtë, është larguar pas miqësores me Luftëtarin. Kamerunasi Elate dhe nigeriani tjetër Etudaije kanë pasur shansin e fundit në miqësoren e ndaj Bylisit, por edhe ata janë larg asaj që kërkojnë fierakët.

sokol ymeraj1

I vetmi i huaj që do të vazhdojë testet e kontrollit, është qendërmbrojtësi francez Baraxhi, i cili pati pak minuta në Ballsh si mbrojtës i djathtë. Nga ana tjetër, pritet që Sokol Ymeraj të zgjidhë çështjen me Flamurtarin dhe të vishet bardhejeshil. Kasmollari, një nga të preferuarit e trajnerit Mërgjyshi, është larguar pa njoftim. Në shprehjen “mund të ketë surpriza” ka një paralajmërim për një goditje të Apolonisë me një mbrojtës të njohur të futbollit elitar. Ndërkohë, në kuadrin e miqësoreve, të shtunën Apolonia ka testin e radhës në “Tofik Jashari” të Shijakut.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"