Lëvizja e madhe për stolin, klubi i Kategorisë së Parë pranë akordit me trajnerin shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2020 | 23:19

Lëvizja e madhe për stolin, klubi i Kategorisë së Parë pranë akordit me trajnerin shkodran

Burreli po tenton që të bëjë lëvizjen e madhe për stolin. Klubi ka nisur zyrtarisht negociatat me trajnerin Samuel Nikajn dhe pritet që shumë shpejt të ketë edhe një akord. Bisedimet po shkojnë mirë dhe kjo është konfirmuar edhe nga takimi që ka zhvilluar dje me drejtorin teknik Klevis Gjoka.

Nikaj

Palët nuk kanë ngurruar që këtë moment ta fiksojnë edhe me një foto, e cila ka qarkulluar direkt në rrjetet sociale. E megjithatë, më herët tekniku 42-vjeçar ka folur edhe me administratorin Bajram Ballabani. Janë duke u diskutuar detajet e fundit dhe firma mund të jetë një formalitet. Në fakt kujtimet e Nikajt në Burrel janë të shumta, sepse edhe pjesën më të rëndësishme të karrierës si futbollist e ka me skuadrën e këtij qyteti.

Tashmë mund të rikthehet për ta drejtuar nga pankina dhe gjasat janë që të ketë pretendime të mëdha. Shkodrani në Shqipëri ka drejtuar ekipe si Ada, Mamurrasi, Tërbuni e Besëlidhja, ndërsa përvoja që ka pasur me Flamurtarin e Prishtinës, Vushtrrinë dhe Lirinë e kanë rritur edhe më shumë.

Me t’u zgjidhur çështja e trajnerit të ri, pritet që të marrë jetë edhe projekti i klubit për sezonin e ri. Pa u konfirmuar “timonier”, nuk mund të flitet për merkato, si në hyrje dhe në dalje. Do të jetë pasuesi i Renato Hotit ai që do të vendosë për afrimet e reja. Matjanët e mbyllën kampionatin në vendin e dytë të zonës “play out” në Grupin A. Skuadra grumbulloi 31 pikë pas 8 fitoresh, 7 barazimesh dhe 9 humbjesh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"