Levendi paralajmëron: Apoloninë do ta shihni shpejt në vendet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2021 | 21:27

Levendi paralajmëron: Apoloninë do ta shihni shpejt në vendet e para

Apolonia po vijon përgatitjet anti-Tërbun, ndeshje që e luan në “Loni Papuçiu”. Pas barazimit të fundit me Maliqin, fierakët duan vetëm kthesën. Objektivi “Superiore” nuk lejon më hapa falsë. I këtij mendimi është Skerdilajd Levendi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi skanon ecurinë e 3 javëve të para dhe flet për vazhdimësinë.

LEVENDI

“Kemi prodhuar lojë, por nuk kemi marrë rezultatet që ne kemi dashur. E megjithatë, të shkuarën e kemi lënë pas dhe tani po mendojmë vetëm për Tërbunin. Luajmë në stadiumin tonë dhe ky është një plus i madh. Synimi ynë në çdo ndeshje është fitorja. E respektojmë kundërshtarin, por Apolonia futet në fushë gjithmonë për maksimumin.

I kemi të qartë objektivat tanë dhe asgjë nuk do të na ndalë. Kemi besim te njëri-tjetri dhe grupi i futbollistëve është mjaft i mirë dhe tejet cilësor. Nga java në javë do të evitohen gabime dhe shumë shpejt do të na shihni në vendet e para të renditjes. Kam një mesazh për tifozët, të na mbështesin.

I ftoj tifozët fierakë të vijnë në stadium se pjesëmarrja e tyre është motivim i madh për ne. Ne do të japim maksimumin, që në fund të festojmë bashkë.

Në planin personal ndihem mirë. Jam stërvitur rregullisht dhe trajneri Kanarsa na ka motivuar shumë. Ndihem mirë fizikisht dhe kam përballuar minuta të plota në të katërta ndeshjet, përfshirë këtu edhe atë që kishim në Kupë ndaj Flamurtarit”, përfundoi 19-vjeçari.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"