Levandovski-Haland, 2 “alienët” janë gati të përplasin brirët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2021 | 23:03


Levandovski-Haland, 2 “alienët” janë gati të përplasin brirët

Robert Levandovski është në “pole position” për të fituar “Këpucën e Artë” në këtë sezon, dueli mes tij dhe Haland është një tjetër sfidë që duhet fituar të shtunën.

Leva Haland

Kush do ta fitojë klasiken: eksperienca e Levandovskit apo uria e Halandit? Në një krahasim të bërë nga mediat gjermane, mund ta kuptosh se në fundjavë nuk do të luhet një ndeshje normale, por një supersfidë e cila pritet të vendoset nga dy bomberat, Robert Levandovski dhe Erling Haland.

GOLAT

Leva është pa dyshim njeriu i momentit në Mynih, teksa ka shënuar 28 gola në 22 ndeshje të luajtura me Bajernin këtë sezon. Ai nuk ishte në fushën e lojës vetëm në javën e 6-të. Në më shumë se shtatë ndeshje ai ka shënuar dy gola e sipër.

Vetëm në katër takime, Robert nuk arriti të vendoste firmën e tij. Me një mesatare prej 1.35 gola për ndeshje, lojtari regjistron sezonin e 10-të ku ka shënuar më shumë se 10 gola në total edhe pse në fund ai ka shkuar në kuotën e 25-30 golave. Por, teksa në shumë raste ka arritur të shënojë 30 gola, në këtë sezon ai kërkon të thyejë barrierën e 40 golave.

Një rekord që mbahet nga Gerd Myler. Me 11 ndeshje për t’u luajtur, Leva mund të arrijë më shumë se ish-sulmuesi bavarez. Në krahun tjetër është Haland, 20-vjeçari që ka shënuar 17 gola në 18 ndeshje në Bundesligë. Një sezon mbresëlënës për norvegjezin i cili erdhi në 2019- ën nga Salcburgu, duke debutuar me një tregolësh, edhe pse hyri në lojë si zëvendësues. Levandovski ishte tri vite më i madh se Erling kur shënoi golin e parë në Bundesligë.

EFIKASITETI

Haland është para polakut për sa u përket golave të realizuar duke prodhuar 30 gola në 33 ndeshje në total. Leva, edhe pse ka shënuar 264 gola në kampionat që kur luajti ndeshjen e parë, iu deshën më shumë ndeshje se 20-vjeçari.

Për sa i përket konvertimit të golave nga goditjet drejt portës, polaku ka arritur të jetë 73.7% i suksesshëm në 3.25 goditje në portë. Haland, në krahun tjetër, vetëm 57.9% në 3.52 goditje drejt kuadratit.

STILI I LOJËS

Nëse produkti në fund është i njëjtë, nuk mund të flitet për një stil të ndryshëm loje. Si fillim, Leva ka si këmbë të preferuar të djathtën, Haland atë të majtën. Polaku ka shënuar 15 herë me këmbën e tij të preferuar, ndërsa norvegjezi 13. Në golat me kokë, Robert ka shënuar katër gola më shumë se Haland. Ajo që bie në sy janë mënyra e ekzekutimit të golave të bomberit bavarez i cili preferon të shënojë në lojë të hapur.

Erling është më shumë një luftarak, i cili shfrytëzon më maksimum shpejtësinë e tij e cila është regjistruar deri në 35.2 kilometra në orë gjatë një takimi në kampionat. Në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Gladbahut, ai vrapoi 86 metra për të finalizuar një aksion të Sanços.

Zona është një vend të cilin norvegjezi e pëlqen po ashtu edhe sprintet finale në afërsi të saj. Pesë gola në këtë sezon kanë ardhur nga kundërsulmet, një tregues i qartë ky se sulmuesi verdhezi është një kërcënim i vazhdueshëm duke shfrytëzuar çdo moment loje, ndryshe nga Leva i cili preferon ta presë skuadrën në zonën e tij.

BASHKËPUNIMI

Si duke shënuar gola, ashtu dhe për të ndihmuar shokët e skuadrës për të shënuar, Leva është më deçiziv se norvegjezi i cili ende nuk e ka fituar këtë aftësi, edhe pse mundohet pa fund. Ai kërkon të shënojë patjetër duke menduar pak për pjesën tjetër, një fazë të cilën sulmuesi i Bajernit e ka kaluar dhe e di shumë mirë që sa më shumë të mendosh për shokët e skuadrës aq më shumë ata bëjnë për ty. Sigurisht që kjo vjen me kalimin e kohës dhe kualitetin e skuadrës me të cilën luan.

VERDIKTI

Levandovski ka një rival serioz të cilit duhet t’i druhet. Trofetë flasin për polakun i cili në sezonin e kaluar fitoi gjithçka duke kompletuar koleksionin e tij. Por, edhe atij iu desh të priste shumë për të arritur deri këtu. Norvegjezi ka një të ardhme të shndritshme para nëse vazhdon me këto ritme. “Der Klassiker” do të vërë përballë dy nga sulmuesit më të mirë të Bundesligës, e cila të shtunën do të ndezë projektorët për spektaklin e radhës.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/