Leva tjetër mesazh Barçës, drejtori sportiv i Bajernit udhëton në Ibiza për t’i ndërruar mendje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 13:23

Leva tjetër mesazh Barçës, drejtori sportiv i Bajernit udhëton në Ibiza për t’i ndërruar mendje

Robert Levandovski është më i vendosur se kurrë për t’u transferuar te Barcelona, aq sa ditën e djeshme media katalanase nënvizonte se duke parë vonimin e kohës së transferimit, sulmuesi polak i ka nënvizuar presidentit të katalanasve, Joan Laporta, se do t’i presë deri në ditën e fundit për firmën dhe se nuk do të tundohet nga asnjë klub tjetër.

levandovski

Gjithsesi, më e fortë sesa dëshira e 33-vjeçarit për të trashëguar ndoshta numrin 10 të Lionel Mesit që nuk shkëlqen më siç duhet në stadiumin “Kamp Nou” (aktualisht i përket Ansu Fatisë), duket bindja e drejtorit sportiv të Bajernit të Mynihut, Hasan Salihamixhiç. Boshnjaku mësohet se pasi udhëtoi në Liverpul dhe mbylli nga pranë transferimin e Sadio Manesë, ka vendosur që të marrë një tjetër avion privat (jo atë që çoi afrikanin në Mynih) dhe të udhëtojë drejt Ibizës, ku po kalon pushimet Robert Levandovski dhe familja e tij.

Ideja e “Brazos” është se mos ndoshta këto ditë pranë detit mund ta kenë zbutur disi bomberin dhe rekordmenin polak që ta rimendojë edhe një tjetër herë idenë e tij për t’u larguar. Të paktën të respektojë edhe vitin e fundit të kontratës së tij dhe të largohet me parametër zero verën e ardhshme. Tani duhet pritur dhe duhet kuptuar vetëm nëse kjo tentativë e Salihamixhiçit në Ibiza do t’ia vlejë, përndryshe është e kotë që bisedimet të vazhdojnë sërish dhe Bajerni të këmbëngulë për të marrë ato 50 milionët e plota nga Barcelona që kërkon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"