Trampolina e sulmuesit për të bërë historinë/ Leva nxjerr armët, Championsi i dhuron “Topin e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 18:45

Trampolina e sulmuesit për të bërë historinë/ Leva nxjerr armët, Championsi i dhuron “Topin e Artë”

Robert Levandovski është në formën e jetës së tij. Në fitoren 4-2 ndaj Leverkusenit në finalen e Kupës, polaku shënoi dy herë duke çuar në 51 numrin e golave sezonalë.

lEVA

Por, a do të mjaftojë kjo për t’u shpallur lojtari më i mirë i botës? Polaku vërtetoi edhe një herë se është një makineri goli. Ka vite në fakt që ai hyn te sulmuesit më të mirë në botë. 31- vjeçari është duke thyer rekord pas rekordi, edhe pse atë të 40 golave që mbahet nga Gerd Myler ende nuk po arrin ta kapë.

SEZON PERFEKT

Në Bundesligë, ai shënoi plot 34 gola në po aq javë duke i dhënë një dorë Bajernit në fitimin e titullit të 30-të në historinë e klubit. Kaq gola kishte shënuar më parë vetëm Diter Myler në sezonin 1976-’77 me fanellën e Këlnit. Në Kupën e Gjermanisë ai shënoi plot 6 gola, 2 nga këta vetëm në finale.

Kjo bëri që ai të shpallej golashënuesi më i mirë për pesë sezone radhazi në Kupë. Jo vetëm në rang kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar, është Levandovski njeriu i momentit. Ai kryeson listën e golashënuesve në Europë me 34 gola. Pas tij vjen Çiro Imobile me 29 gola, por italiani ka edhe tetë ndeshje për të luajtur. Megjithatë, polaku do të luajë edhe në Champions. Një kompeticion të cilin 31-vjeçari kërkon ta fitojë me patjetër pasi dështoi ta fitonte me Borusian e Dortmundit në finalen e 2013-ës.

RIVALITETI ME HALANDIN

Në Europë Leva ka shënuar plot 11 gola në këtë sezon. Rivali më i afërt është Erling Haland me 10 gola të cilët i ka shënuar me fanellën e Salcburgut dhe Borusias. Por norvegjezi ka mbetur në vendnumëro pasi verdhezinjtë u eliminuan në fazën e 1/16- ave nga Parisi.

ËNDRRA “TOPI I ARTË”

Lojtari më i mirë në botë për momentin është Lionel Mesi. Argjentinasi është sërish favorit në këtë sezon për “Topin e Artë”. Polaku nuk dorëzohet gjithsesi, edhe pse e di që përballë ka lojtarë të nivelit botëror, por ai i tillë është vetë. Një kanibal, një nga golashënuesit më të mirë në qarkullim. Ndoshta ky është viti i tij perfekt, ku mund të kurorëzohet si më i mirë në profesionin e tij dhe njëkohësisht të vendosë duart mbi trofeun prestigjioz me veshë të mëdhenj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"