Leva, më i miri i vitit në Poloni, ish-mesfushori: Tek Bajerni nuk do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2022 | 15:15

Leva, më i miri i vitit në Poloni, ish-mesfushori: Tek Bajerni nuk do të…

Një tjetër çmim për Robert Levandovskin në vendlindjen e tij. Bomberi i Bajernit u kurorëzua si sportisti i vitit në Poloni. 33-vjeçari mori shumicën e votave të lexuesve të revistës sportive “Przeglad Sportowy” duke lënë pas Anita Vlodrazyk, kampionen e hedhjes së çekiçit dhe çiklistin Bartos Zmarzlik.

levandovski

Numri 9 i skuadrës bavareze tha se ndihej i lumtur që sërish u nderua me një çmim prestigjioz në vendlindjen e tij. “Çmimi si sportisti i vitit në vendin tim më gëzon shumë. Duke parë që përballë kisha dy sportistë të mëdhenj”, tha Leva në kanalin e tij të “Instagramit”.

“Shpresoj që të vazhdoj kështu dhe të jem një inspirim për shumë lojtarë të rinj që duan të arrijnë nivele të larta në karrierën e tyre”.

Kujtojmë që Leva është edhe një nga tre lojtarët e nominuar për t’u shpallur lojtari më i mirë i vitit, një çmim që jepet çdo vit nga FIFA. Polaku dështoi të merrte “Topin e Artë”, një çmim që i shkoi argjentinasit Lionel Mesi, i cili luan për Parisin në Francë.

KËSHILLA E HAMANIT
Haman është i sigurt, Leva nuk do ta fitojë kurrë “Topin e Artë”. “Robert duhet ta kuptojë që për sa kohë është te Bajerni nuk do ta fitojë kurrë “Topin e Artë”. Nuk e di, por kështu më duket.

Është një çmim që ai duhet ta kishte fituar që vitin e kaluar, por për shumë arsye kjo nuk ndodhi. Është për të ardhur keq, realisht. Ndoshta ai duhet të shkojë në një skuadër tjetër, të provojë një aventurë ndryshe.

Me Bajernin ka arritur të fitojë gjithçka dhe mendoj që dhe në këtë sezon do ta mbyllë me trofe. Shpresoj që të fitoj në Europë për të treguar edhe një herë se “Topi i Artë” meritohej të fitohej vetëm nga ai”, tha ish-lojtari i Bajernit, Haman, për “Sky Sport.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"