Lëv: S’na intereson po ramë nga grupi, nuk ka shumë rëndësi kjo Liga e Kombeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 14:27

Lëv: S’na intereson po ramë nga grupi, nuk ka shumë rëndësi kjo Liga e Kombeve

Përpara miqësores së sotme të Gjermanisë kundër Rusisë në Lajpcig (ora 20:45), Joakim Lëv zbuloi disa detaje në lidhje me formacionin nga konferenca për shtyp në “Red Bull Arena”. Ai shpjegoi se Marko Rojs, kapiteni i Dortmundit do të jetë mungesa e madhe e “pancerave” sot, ndërsa pritet t’i besojë trios së tij Verner-Gnabri-Sane.

joakim lev

Cila është gjendja e Marko Rojsit?

Fatkeqësisht, Marko Rojs nuk do të jetë i gatshëm të luajë. Ai vuan nga një hematomë mbi pjesën e sipërme të këmbës dhe ka një kavilje të ënjtur. Nuk ka kuptim që të luajë. Do të presim dhe shohim nëse do të jetë gati të luajë të hënën. Kemi planifikuar një seancë të lehtë vrapimi të enjten. Do ta monitorojmë situatën e tij çdo ditë. Të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm.

A do të rikthehet Draksler për ndeshjen kundër Holandës?

Ne i dhamë leje si pasojë e një humbjeje që pësoi në familje, për t’i qëndruar asaj pranë në këtë moment të vështirë. Rikthimi i tij ndaj Holandës është i mundshëm.

Gjermania rrezikon të bjerë nga Liga A në Ligën e Kombeve, jeni i shqetësuar?

Ne nuk u kualifikuam dot në grupin tonë, pavarësisht përpjekjeve maksimale. Por më shumë rëndësi për mua kanë kualifikueset e Europianit të vitit të ardhshëm. 12 muajt e ardhshëm janë të rëndësishëm për të gjetur skuadrën më të mirë dhe sinkronizojmë stilin e lojës. Aktualisht jemi në një periudhë tranzicioni. Rezultati ndaj Rusisë nuk ka rëndësi. Është e rëndësishme ajo çfarë do kuptojmë nga skuadra. Në varësi të rezultatit të së hënës (kundër Holandës në Ligën e Kombeve) ne kemi një shans që të qëndrojmë në grup dhe ne duam ta fitojmë atë. Ndoshta i kemi kushtuar shumë rëndësi këtij kompeticioni. Rënia nuk do ishte fundi i botës. Do ngjitemi prapë.

Çfarë mendoni për Rusinë?

Janë në të njëjtin nivel si në vitin 2008. Ndikimi i trajnerit është i qartë. Kanë një skuadër shumë të disiplinuar, shumë agresive në mbrojtje dhe të rrezikshme në kundërsulm. Japin gjithçka për rezultatin. Stanislav Çerçesov është një trajner i disiplinuar dhe fantastik taktikisht.

Cili vazhdon të jetë roli i Mylerit në këtë kombëtare?

Një revolucion total në kombëtare nuk është gjithnjë i mundur. Ndryshimi është një proces. Një skuadër e mirë kërkon një përzierje mes lojtarëve të ndryshëm, mes atyre me përvojë që të udhëheqin ekipin. Ne kemi shumë lojtarë që mund ta bëjnë këtë, por edhe të rinj. Tomas është një lojtar që ofron shumë energji dhe ndihmon të rinjtë. Ai është gjithnjë në vendin e duhur për të vendosur ndeshjen, edhe kur nuk po kalon një formë të mirë.

Cili do të jetë formacioni titullar kundër Rusisë?

Nojer do jetë në portë. Kemi shumë opsione pastaj për lojtarët e tjerë. Për shembull, Brand luan shumë mirë në krahë. Megjithatë, tre sulmuesit që luajtën kundër Francës e bënë gjithashtu shumë mirë. Tendenca është të startojmë sërish me ta. Megjithatë, vendimin do ta marrim pas stërvitjes së fundit. Pse luajmë me trio sulmuesish? Nuk kemi Kavani, Suarez apo Levandovski. Për momentin duhet të gjejmë zgjidhje të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"