Lëv: S’fitohet Botërori vetëm me një skemë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2014 | 15:54

Lëv: S’fitohet Botërori vetëm me një skemë

LevGjermania pa dyshim që mban vulën e Joakim Lëvit. Stili i tij taktik ka qenë spektakolar, aq sa ka çuditur gjithë globin. 54-vjeçari gjerman nuk ka mundur të fitojë ende një trofe. Gjatë një interviste për sajtin e FIFA-s, Lëv flet për filozofinë e tij, emocionet, pritshmëritë dhe formën e skuadrës.
Z.Lëv, ju njiheni si trajner karizmatik dhe emocional. Gjermania është në pritje të kupës së 4-t. Deri në ç’pikë është i planifikuar në sytë tuaj Kupa e Botës?
Disa gjëra mund të planifikohen dhe llogariten si “fitness”- i, vrapi dhe sjellja taktike. Por, suksesi është i planifikuar deri në një pikë. Ne duhet të punojmë fort për të rritur probabilitetin e suksesit. Për këtë gjë kemi punuar fort gjatë seancave stërvitore. Jam shumë i kënaqur me lojtarët, por edhe përgatitjet më të mira nuk garantojnë tituj.
Merrni pjesë në turneun e 4-t ndërkombëtar si trajner i Gjermanisë. Mbizotëron nervozizmi apo qetësia te ju?
Sa më shumë afrohet starti, aq më i qetë ndihem. Ndihem i relaksuar, sepse kam besim të plotë se kemi menduar për gjithçka. Në këtë mënyrë eliminoj stresin dhe presionin si te vetja dhe lojtarët. Është privilegji më i madh për çdo njeri të jetë pjesë e Botërorit të organizuar në vendin numër 1 të futbollit në botë.
Është e vështirë për një trajner të ndërthurë kreativitetin modern me tiparet dhe karakteristikat e Gjermanisë së legjendave…
Virtytet e së kaluarës nuk mund të fshihen. Ju e dini që Gjermania njihet për dyluftime të forta dhe “luftë” deri në sekondën e fundit. Ne u kemi shtuar këtyre virtyteve edhe atributet e sotme, si kreativitetin, qarkullimin e topit dhe lojën e grupit. Për të triumfuar në Brazil na duhet që të gjitha këto të funksionojnë falë një procesi zinxhir.
Disa ekspertë flasin për fundin e “tiki-taka”-s. Disa i japin prioritet reminishencës me tre mbrojtës. Ç’trend taktik do të shohim në Brazil?
Ne kemi sistemin tonë. Pjesë parësore e këtij sistemi është fleksibiliteti. Ky është edhe trendi që pres në Brazil. Në futbollin e sotëm nuk mjafton të mbizotërosh në një sistem. Në Brazil parashikoj një model të ri futbolli. Botërori mbledh më të mirët, çka do të na bëjë më të fortë për t’ia dalë mbanë. Ne kemi një shans për ta fituar kupën. Duam dhe duhet të shpallemi kampionë, por nuk mund të them që do shpallemi kampionë.
Cila ndeshje Botërori ju ka lënë më shumë mbresa?
Botërori 1970 në Meksikë. Isha 10 vjeç. Ngaqë nuk kishim televizor, shkoja te gjyshërit për ta parë. Diskutohej shumë dhe rrinim deri vonë, edhe pse ditën tjetër duhej të shkoja në shkollë. Më kujtohet sakrifica e Bekenbauerit, kur në gjysmëfinale ndaj Italisë u përplas përtokë me shpatull të dëmtuar. Atij i duhej të luante me gjysmëshpatull, sepse trajnerit Helmut Shën i kishte bërë zëvendësimet. Ai sakrifikoi dhe unë u çmenda në fund që humbëm 4-3 në kohë shtesë me Italinë. Këto ngjarje ua tregoj edhe lojtarëve të mi. Ajo sakrificë më inspiron.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"