Ikonat-Lëvit: Pa bomber, s’ka kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2014 | 9:27

Ikonat-Lëvit: Pa bomber, s’ka kupë

Lahm dhe LevGerd Myler, Uve Zeler, Karl-Heinc Ru menige, Rudi Fëler, Jurgen Klinsman janë bomberat që historia e Gjermanisë krenohet. Por, Botërori 2014 duket se ka përmbysur dhe ka zhvlerësuar pozitën e bomberave gjermanë, duke i besuar lojës spanjolle me “9 fals”. Gjermania pa bomber! Ka qenë kjo ka qenë parulla e disa legjendave të kombëtares gjermane, të cilët janë çuditur që “pancerat” do të kenë në Botëror vetëm një sulmues, Miroslav Klosen. Por, vendimi i trajnerit Lëv për listën me 23 emra ka lënë hapur shumë çështje për t’u diskutuar. Një prej fanatikëve të sulmuesve ka qenë legjenda e Hamburgut dhe Gjermanisë, Uve Zeler.
Uve Zeler: Një ekip pa bomber, i paplotë
“Nuk e di nëse mjafton vetëm Klose. Për më tepër që ai ka qenë edhe i dëmtuar. Një skuadër pa bomber, më duket disi e paplotësuar. Kombëtarja pa bomber s’fiton trofe”, – deklaroi për “Bild” ish-sulmuesi i Gjermanisë në vitet 1954- 1970. Kurse ish-“killeri” i zonës së rreptësisë për të dyja Gjermanitë (DDR dhe RFGJ), Ulf Kirshten, mendon se Lëvi po rrezikon shumë. “Trajneri Lëv po rrezikon. Klose nuk është më në formën e tij. Si mosha dhe forma fizike nuk më bindin, sidomos në klimën amerikano-jugore”, – nënvizoi ish-bomberi i Bajer Leverkusenit, Ulf Kirshten.
Kampionët e 1990-ës “kryqëzojnë” Lëvin
Kampioni i EURO 1996, Tomas Shtrunc, i ka dhënë një shuplakë të madhe Lëvit gjatë një komenti për “Sport1”: “Për mua është i pakuptimtë largimi i sulmuesit Kevin Foland dhe mbrojtësit Shmelcer. Foland është qendërsulmues i rrezikshëm. Lëvi nuk dha asnjë argument për largimin e tij. Tani Gjermania do të luajë me ‘9 fals’, duke dalë nga boshti i filozofisë sonë”, – kritikon Shtrunc. Edhe legjenda Olaf Thon mban qëndrim kritik për listën: “Unë do të kisha zgjedhur që në fillim një bomber si Lasoga apo Kisling. Në një Botëror janë të nevojshëm këta tipa lojtarësh. Klose i vetëm nuk mjafton”. Edhe ishkampioni i 1990-ës, Karl- Hainc Ridler, është skeptik: “Qendërsulmuesit nuk shënojnë vetëm gola, por mbajnë me vete edhe dy apo më shumë mbrojtës për t’ia thjeshtuar lojën skuadrës. Por, çfarë do të ndodhë nëse Klose dëmtohet?”. Në këtë listë ka qenë edhe legjenda e Liverpulit, ish-mesfushori i Gjermanisë, Ditmar Haman, i cili shprehet se kombëtares gjermane ia janë ulur shanset për të fituar pa pasur bomber.

Bekenbauer bën avokatin e Lëvit: Ofensiva e plotësuar
Legjenda e Kombëtares gjermane, që ka fituar Botërorin si lojtar dhe trajner, nuk njeh asnjë problem për skuadrën e Lëvit në Brazil. Franc Bekenbauer vërtet sheh Brazilin si favorit, por Gjermaninë e cilëson si kombëtaren që ka arritur pjekurinë për të triumfuar pas 24 vitesh. Gjithashtu, ai nuk sheh ndonjë problem të madh, për faktin që Lëv do të ketë në skuadër vetëm një qendërsulmues. “Nuk shoh ndonjë problem të madh te kombëtarja në repartin ofensiv. Mendoj se ky repart ka mjaftueshëm lojtarë të rrezikshëm, të cilët dinë të bëjnë diferencën. Klose është një qendërsulmues i mirëfilltë, që do i japë eksperiencë dhe siguri skuadrës. Prezenca e tij në fushë karikon lojtarët dhe çorienton rivalët. E rëndësishme është që këta sulmues të vetëm ta kemi në superformë. Më pas alternativa më e mirë është Myler, por edhe Podolski”, – nënvizoi ish-trajneri Bekenbauer, duke shtuar më tej për shanset e Gjermanisë: “Brazili patjetër që është favorit. Mirëpo, mendoj se Gjermania ka arritur pjekurinë e duhur për t’u shpallur kampion”.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"