Lëv i zhgënjyer me rezultatin: Nuk e meritonim humbjen, në dhomat e zhveshjes erdhi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 12:38

Lëv i zhgënjyer me rezultatin: Nuk e meritonim humbjen, në dhomat e zhveshjes erdhi…

Joakim Lëv ishte shumë i zhgënjyer me rezulta tin e ndeshjes. Trajneri i Gjermanisë mendon se skuadra e tij zhvilloi një lojë shumë të mirë dhe meritonte të dilte me pikë nga Parisi. Sipas Lëv nëse lojtarët do të ishin treguar më të saktë përpara portës në pjesën e parë, atëherë rezultati do të kishte qenë ndryshe.

Lev

“Jam i zhgënjyer me rezultatin. Nuk duhet të ishte kështu. Ishim në lartësinë e duhur, humbja nuk ishte e merituar për atë çfarë treguam sonte (dje). Nuk u shpërblyem për lojën e mirë që bëmë”, u shpreh trajneri që më pas foli edhe në lidhje me rrotacionin. Tekniku gjerman kishte lënë në stol disa prej titullarëve të ndeshjes me Holandën, duke u besuar formacionin disa të rinjve, të cilët zhvilluan një ndeshje të mirë. “Ishte e rëndësishme të kryenim disa ndryshime. Nuk i lamë shumë hapësira kundërshtarit që e kishte të vështirë të na sulmonte. Kështu duhet të luajmë edhe në të ardhmen. Humbja me Holandën na ka kushtuar shumë, ndaj ishte e rëndësishme të jepnin një sinjal pozitiv. Lojtarët e rinj treguan se mund të luajnë në ndeshje të tilla, ndaj aktivizimi i tyre ishte i rëndësishëm”.

Lëv bëri edhe një koment në lidhje me penalltinë e dhënë në favor të francezëve. “Kur sheh pamjet filmime, mund ta dallosh që nuk është penallti”. Tekniku zbuloi edhe një detaj të veçantë pas ndeshjes. “I gjithë delegacioni i federatës erdhi në dhomat e zhveshjes për të na komplimentuar për lojën e zhvilluar”, përfundoi Lëv.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"