Letra e hapur e “Panorama Sport” / Thirrje FSHF-së, a e pranon censurën?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2017 | 11:25

Letra e hapur e “Panorama Sport” / Thirrje FSHF-së, a e pranon censurën?

Kërcënimet dhe presioni i Kukësit ndaj “Panorama Sport” për t’i mbyllur gojën gazetës më të madhe në vend dje kanë arritur në një tjetër nivel. Klubi kampion ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet me gazetën dhe nuk do të bashkëpunojë më. Kjo është një kambanë alarmi për median e lirë sportive. Klubi i Kukësit përfaqëson një qytet të tërë dhe, ndonëse sot mund të funksionojë si një shoqëri aksionere, apo si një biznes privat, ai është gjithashtu një aset publik.

panorama sport

Opinioni sportiv jo vetëm në qytetin që përfaqëson ky klub, por në mbarë vendin, ka të drejtën e informimit. Natyrisht, tentativa e fundit për të zmbrapsur “Panorama Sport”-in në misionin e saj për të thënë të vërtetën është një tjetër manovër e dështuar në qëllimin final për censurë. Kjo sjellje agresive është provuar fillimisht në Shqipëri nga politika ndaj medias dhe ka dështuar. Natyrisht që do të dështojë edhe tentativa e zyrtarëve të Kukësit për të censuruar shtypin sportiv.

Por, duke qenë se Kukësi zhvillon aktivitetin e tij në kampionatin kombëtar shqiptar, i cili organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, gazeta i bën thirrje këtij institucioni të mbajë qëndrim! Së pari, FSHF duhet të distancohet nga sjelljet e ditëve të fundit karshi gazetës më të madhe në vend dhe, së dyti, duhet të tregojë me qëndrim të qartë dhe të prerë se është kundër censurës dhe kundër sulmeve ndaj medias së lirë.

16251828_1350249111663310_7259881459941919547_o

Natyrisht, ka pasur plot raste kur vetë federata ka tentuar të fshehë ngjarje, apo të censurojë lajme dhe, më pas, është përballur me kritika të forta, por këtë herë është koha që të dalë mbi palët dhe të demonstrojë me fakte se mbështet transparencën dhe dënon sulmet ndaj shtypit.

Gazeta është e vendosur që t’i shkojë deri në fund çdo beteje për të vërtetën. Qëndrimi ynë për lajmin e publikuar disa ditë më parë mbi mbledhjen e tensionuar te Kukësi vazhdon të mbetet i njëjti: kemi raportuar të vërtetën! Klubi kuksian është i lirë ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, ashtu si dhe “Panorama Sport” është në të drejtën e saj të publikojë informacione që i konsideron të vërteta.

panorama-kukesi

Gazeta disponon materiale të tjera, mes të cilave edhe tri audio me përmbajtje realisht të rëndë. Redaksia është duke vlerësuar me qetësi dhe profesionalizëm nëse duhet të publikojë materialin e këtyre audiove ose jo, për shkak se në shumë raste aty cenohet etika dhe integriteti i shumë personave.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se shumë lajme sot nuk pranohen me lehtësi dhe se e vërteta jo gjithnjë është e bukur apo e pëlqyeshme, por Kukësi nuk është rasti i parë që sulmon gazetën. Në të kaluarën, klube si Tirana, Partizani, Skënderbeu, Laçi, Bylisi, Vllaznia etj., janë ankuar për njëanshmëri apo për motive të tjera…

oF6RkGKF

Por, pikërisht për faktin se të gjithë ankohen për njëanshmëri, do të thotë se gazeta e ka bërë mirë detyrën e saj duke vërtetuar se nuk është aleat i dikujt dhe armik i askujt. “Panorama Sport” ka qenë, është dhe do të mbetet aleat i së vërtetës. Sulmet, presionet dhe tentativat për censurë nuk do ta zmbrapsin kurrë. “Panorama Sport” sot është gazeta me tirazhin më të lartë në Shqipëri që dominon 90% të shtypit sportiv.

Portali i kësaj gazete është më i klikuari ndër websajtet sportive në vend dhe të gjitha këto tregojnë besueshmërinë dhe seriozitetin tonë. Tregojnë se nuk jemi me asnjë palë dhe se aleancën e vetme e kemi me publikun. Në fund, e jep vetëm publiku verdiktin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"