“Lëshoni terren”, zbulohet plani i Tiranës për Europën/ Trajneri dhe drejtuesit analizojnë rivalët në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2022 | 20:12

“Lëshoni terren”, zbulohet plani i Tiranës për Europën/ Trajneri dhe drejtuesit analizojnë rivalët në Champions

Tirana po përgatitet për të fituar sfidën e parë me Dudelanzhin. Prej disa ditësh, trajneri Orges Shehi dhe ndihmësit e tij janë duke analizuar kundërshtarët. Ai po sheh me kujdes ndeshjet e Dudelanzhit, ndërsa po ndjekin edhe ecurinë e luksemburgasve në ndeshjet miqësore.

tirana

Drejtuesit kanë dalë në konkluzion se skuadra rivale është shumë hermetike në fushë dhe zor se të lë hapësira në fushë. Në këtë mënyrë po shihet mundësia që kundërshtarit t’i lihet fushë që ai të hapet dhe lojtarët e Tiranës ta kapin në kundërsulm. Nga ana tjetër, Shehi ka kohë që po kërkon skema sulmi për të çuar sulmuesit te goli. Ai kërkon automatizimin e skemave që sulmuesit të kenë mundësi të shënojnë gol. Në fakt, Tirana ka një skuadër të jashtëzakonshme në ofensivë.

FORMACIONI – Tirana pritet të luajë me 11-shen duke filluar nga Bekaj në portë, Toshevskin, Behiratçen, Najdovskin e Ismajlgecin në mbrojtje. Në mesfushë, Aleksi, Totre e Limaj. Sulmi është përbërë nga treshja Xhixha, Hasani e Seferi dhe De Silva që është gati për të qenë në fushën e lojës.

Mirë apo keq, Tirana po shkëlqen në merkato dhe skuadrën po e bën nga e para. Me largimin e Tolit dhe Hoxhallarit, skuadra duket sikur u lëkund, ndërsa me ardhjen e Florent Hasanit, Albano Aleksit dhe Ardit Hilës, mbrojtja është blind, ashtu edhe mesfusha, ndërsa sulmi bëhet fluturues. Edhe stoli i rezervave do të jetë më i plotë, me De Silvën, Hilën. Pa harruar të rinjtë e tjerë që skuadra ka me shumicë dhe që janë gati për të kapur një shans te Tirana.

E KALUARA – Tirana e ka për detyrë të kualifikohet në turin e dytë të Champions-it. Këtë e thonë statistikat. Gjithsesi, duke u kthyer te shorti, Tirana ka eliminuar Tbilisin dy herë në turin e parë, Gomelin, Nova Goricën, ndërsa janë eliminuar nga Graci, Ferencvaroshi, CSKA e Sofjes apo Crvena Zvezda.

Shehi Osmani Vangjeli

Në takimin e fundit në Champions League, Tirana ka shkëlqyer kundër serbëve të Crvenës, por fati deshi që nuk u kualifikua. Gjithsesi, bardheblutë patën fatin dhe me short shkuan në “play off”-in e Europa League ndaj Jang Bojsit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"