Lerda me grup të plotë, fitorja me Laçin është detyrim për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 12:08

Lerda me grup të plotë, fitorja me Laçin është detyrim për Partizanin

Ndërprerja e kampionatit ka ardhur si me porosi për Partizanin, pasi të kuqtë do të kenë kohën e mjaftueshme për të rikuperuar të dëmtuarit. Rikthimi i Theofilus Solomon, pas një mungese katërjavore shikohet si ogur i mirë në prag të ndeshjes së radhës, ku të kuqtë presin Laçin në kryeqytet. Me barazimin që morën në Vlorë, të besuarit e trajnerit Lerda humbën mundësinë për të thelluar distancën me ndjekësit.

partizani

Pas barazimit me Flamurtarin, trajneri italian i të kuqve pohoi se nuk i jep rëndësi për momentin renditjes, por më pas tha se i kishte mbetur peng lënia e dy pikëve në Vlorë. Përgatitjet për ndeshjen me Laçin kanë nisur prej tri ditësh dhe stafi teknik dhe drejtuesit kanë kërkuar nga ekipi që të angazhohen maksimalisht gjatë kësaj periudhe, pasi ndaj Laçit, Partizani duhet të kthehet me çdo kusht te fitorja.

Trepikëshin trajneri italian e kërkon në prag të çdo ndeshjeje, por ndaj laçianëve fitorja kërkohet për shumë arsye. Së pari, kërkohet që ekipi të vijojë kryesimin për të mos e ndierë shqetësimin e ndjekësve, si dhe për të rritur moralin para ndeshjeve në vijim, ku kalendari sa vjen e vështirësohet. Me fitoren të kuqtë arrijnë të ndalin edhe vrullin e kurbinasve, që në 4 javët e fundit njohin vetëm fitore.

partizani ne stervitje

Trepikëshi kërkohet për të përmirësuar edhe bilancin direkt me kurbinasit, pasi dihet që në fazën e parë ka fituar Laçi, ndonëse të kuqtë patën pretendimet e tyre në atë takim. Trajneri Lerda e ka pranuar se sulmi ka problemet e tij në finalizim dhe shpreson që kjo periudhë ndërprerjeje t’i shërbejë ekipit për të përmirësuar shënjestrën, në mënyrë që ndaj Laçit goli të vijë sa më parë.

Brajan Braun- Partizani nuk ka qenë i plotë në këto seanca të para, pasi dihet që pesë lojtarë janë të grumbulluar me kombëtaret.Njëri nga këta është Brajan Braun, i cili është grumbulluar nga Xhamajka, e cila në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka fituar 2-0 në transfertë ndaj Antigua dhe Barbuda. Sulmuesi i të kuqve e ka shijuar nga stoli triumfin e kombëtares xhamajkane, pasi nuk është aktivizuar asnjë minutë në këtë takim.

brajan braun

Ndonëse bëri mijëra kilometra udhëtim, Braun doli huq edhe me Xhamajkën duke mos u aktivizuar asnjë minutë. Xhamajkani pritet t’i bashkohet ekipit në fillimjavë dhe të nisë programin stërvitor për ndeshjen me Laçin. Braun e nisi si titullar sezonin te “demat”, pas tre golave që shënoi në finalen e Superkupës me Kukësin, por më pas aktivizimi i tij ka qenë me pikatore dhe akoma nuk e ka shënuar golin e parë në kampionat.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"