Lena pret një telefonatë nga Teuta. Ahmataj: S’do ketë firo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2016 | 13:11

Lena pret një telefonatë nga Teuta. Ahmataj: S’do ketë firo

Kur duhen edhe 4 ditë nga grumbullimi i ekipit, Teuta ende nuk ka asnjë zyrtarizim në merkato. Edhe pse nuk bëhen të ditur emra lojtarësh, drejtuesit nuk po qëndrojnë “duarkryq”. Ata po vëzhgojnë elementë cilësorë, të cilët do t’i shërbejnë ekipit për sezonin e ri futbollistik. Te durrsakët janë afruar vetëm Raboshta dhe Ismaili, por e sigurt është që nuk do të jenë të vetmit.

kairat teuta

Drejtuesi po tregohen të kujdesshëm për të mos zbardhur emrat, megjithatë gjithçka duket në rrugën e duhur. Këtë e pranon edhe vetë trajneri Julian Ahmataj për gazetën. Ai shkurtimisht sqaron se janë duke vëzhguar disa futbollistë, megjithatë derisa mungon konkretizimi, nuk duan që të publikojnë emrat. “Po vëzhgojmë disa lojtarë, por derisa nuk ka diçka konkrete, nuk mund t’i bëjmë publike këto emra. Nuk do të ketë më largime, me gjasa kjo do të jetë bërthama e ekipit”, u shpreh tekniku elbasanas.

Ndërkaq, Nijas Lena është në dilemë për të ardhmen. Mesfushorit nga Struga i ka skaduar kontrata me Teutën, megjithatë ende nuk mund të quhet i larguar. Pritet që mes tij dhe drejtuesve durrsakë të zhvillohet një bisedë dhe vetëm nëse do të gjendet gjuha e përbashkët, mund të flitet për zgjatje të marrëveshjes kontraktuale. Paraqitja e tij e mirë në Europa Ligë është një “bonus”, ndaj nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit të bëjnë çmos që ta blindojnë edhe për një tjetër vit.

TEUTA

Vetë Lena është në pritje të Teutës dhe vetëm pasi të bisedojë me drejtuesit, do t’i japë drejtim të ardhmes së tij. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, numri 10 e thotë hapur që durrsakët mbeten zgjedhja e tij e parë. “Do të bisedoj me presidentin sa i përket të ardhmes sime në Durrës. Të them të drejtën, ofertat nuk më kanë munguar, por zgjedhja ime e parë mbetet Teuta. Pas një sezoni realisht të suksesshëm, ku u ndjeva realisht mirë, e kam detyrim moral që fillimisht të flas me drejtuesit e klubit. Do të bisedoj një herë me presidencën dhe më pas do të shoh se çfarë rruge do të ndjek për të vazhduar karrierën time”, u shpreh Lena.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"