Lena: Ndeshja më e mirë e karrierës në Europë. Në fund i thashë Hallaçit të gjuante topin për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2017 | 23:45

Lena: Ndeshja më e mirë e karrierës në Europë. Në fund i thashë Hallaçit të gjuante topin për mua

Nijas Lena ka qenë një ndër lojtarë më të spikatur në fushën e lojës në dy ndeshjet kundër Sherif Tiraspol. Mesfushori i Kukësit, pavarësisht mërzisë për eliminimin, nuk ngurron ta cilësojë këtë të sotmen si ndeshjen më të bukur që ka luajtur në Kupat e Europës gjatë karrierës së tij. Ndërkaq, në fjalët për “SuperSport”, ai ka lënë të kuptohet se nuk ka ende një akord për të vazhduar apo jo me Kukësin pas verës.

Lena vs Flamurtari

Për eliminimin pas fitores

“Kundërshtari ka cilësi, por nuk erdhi shumë herë në portë. Në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri, ndodhi edhe sot. Janë tre shtylla, penallti e humbur, nuk di çfarë mund të bënim më shumë”.

Për rënien e skuadrës në pjesën e dytë, kur dukej në kontroll

“Ne pjesën e parë shpenzuam shumë, bëmë 45 minuta presing dhe shpenzuam energji. Në pjesën e dytë, pasi kishim rezultatin në favor menduam të ruanim forcat dhe menaxhonim situatën. Na shënuan shumë shpejt dhe normalisht e humbëm pak ekuilibrin në mesfushë.

Fizikisht ishim ndoshta pak të lodhur, tentuam 25 minutat e fundit gjithçka për gjithçka dhe fati nuk ishte me ne. Pejiç ka gjuajtur kushedi se sa penallti gjatë viti e nuk e ka gabuar, sot ishte dita për ta humbur”.

Për humbjen e ekuilibrit të skuadrës në fund

“Nuk duhet të pësonim sot, por edhe mund të barazonin ata pastaj, se sulmonim me 5-6 lojtarë në ato momente. Ky është futbolli. Unë jam i kënaqur që kjo është ndeshja më e mirë në karrierë që kam bërë në Kupat e Europës. Të dominosh ndaj një ekipi si Sherifi me buxhet shumë më të madh, është meritë e të gjithëve. Në fund nuk po ecja më, i thashë Hallaçit ta gjuante ai para se nuk kisha fuqi as të godisja topin”.

Për të ardhmen

“Tani do iki në Strugë me familjen, pastaj kemi kohë për të filluar, kampionati shqiptar fillon në dhjetor (qesh). E di, e di që fillon në shtator. Nuk di çfarë të them. Edhe dy javë më mbaron kontrata me Kukësin, nëse drejtuesit janë të interesuar, do të ulemi të bisedojmë për sezonin e ardhshëm”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"